Bedri Duraku koordinator i Panelit për Lirim me Kusht, është sulmuar fizikisht në orët e pasdites të së enjtes.
Lajmin e ka bërë të ditur Këshilli Gjyqësor i Kosovës, i cili përmes një njoftimi për media sulmin e ka konsideruar si sulm ndaj sistemit gjyqësorë.
“Ne ngrehim shqetësim dhe revoltë për këtë sulmin fizik shkaktuar nga disa persona e që rastet e tilla të sulmeve fizike ndaj personave zyrtar, të mos shndërrohen në dukuri”.
“Është për keqardhje se si sulmohen institucionet e drejtësisë së Kosovës e në veçanti zyrtarët të cilët e kryen punën e vet me nder e përgjegjësi për çka edhe janë të emëruar”, thuhet në reagim.
KGjK –ja, kërkon nga institucionet përgjegjëse të marrin të gjitha masat për të zbardhur rastin dhe kryesit e këtij akti të vihen para organeve të drejtësisë.
“Gjithashtu, kërkojmë që të ndërmarrin masat ligjore preventive në mbrojtjen dhe në krijimin e sigurisë për zbatuesit e ligjit në Kosovë duke inkurajuar të gjithë zyrtarët e drejtësisë që të vazhdojnë me përkushtim që të kryejnë punën e tyre të garantuar me ligj”, thuhet në komunikatën e KGJK-së. /Insajderi.com