Një sulmues vetvrasës e ka kryer një sulm sot afër konsullatës amerikane në qytetin Xhedah të Arabisë Saudite.
Vetëm sulmuesi është vrarë, ndërsa dy policë saudit janë plagosur gjatë incidentit.
Televizioni shtetëror saudit ka thënë se sulmuesi e ka parkuar veturën afër një spitali, përballë konsullatës në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa e ka hedhur vetën në erë kur dy zyrtar të sigurisë i janë afruar.
Në një komunikatë të konsullatës amerikane thuhet se nuk ka pasur viktima apo të plagosur nga pjesëtarët e stafit, duke shtuar se Ambasada amerikane në këtë vend është në kontakt me autoritetet saudite që po e hetojnë rastin.
Në vitin 2004, militantët e Al Kaidës e kanë sulmuar konsullatën e njëjtë, duke vrarë pesë punonjës vendor. Katër persona të armatosur janë vrarë gjatë përleshjeve me policinë gjatë atij sulmi.
Grupi militant, Shteti Islamik ka kryer disa sulme me bomba dhe armë zjarri në Arabi Saudite prej mesit të vitit 2014, duke vrarë jo pak njerëz, kryesisht pjesëtarë të minoritetit shiit dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë./rel.