Prokuroria Themelore në Gjilan, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurit Sh.H, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Sulmi ndaj personit zyrtar’’.
Në njoftimin e prokurorisë theksohet se i dyshuari sulmoi pesë zyrtarë policorë.
“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Sh.H., më 31 korrik 2024, në Gjilan, me dashje i ka sulmuar pesë zyrtarë policorë, ashtu që derisa të njëjtit ishin në pikë kontroll, duke ushtruar autorizimet e tyre ligjore, afrohet i pandehuri afër tyre, ku fillon të ngacmojë kalimtarët në rrugë dhe pasi i tërhiqet vërejtja nga njëri polic duke i kërkuar që të largohet nga aty, i njëjti fillon t’i ofendojë dhe kanosë me fjalë policët, me ç’rast njëri prej tyre i afrohet dhe e njofton se prej tani është i arrestuar dhe do t’a shoqërojnë në stacion policor, atëherë i pandehuri e shtyen me duar dhe e godet në fytyrë ku si pasojë e lëndimeve ka marrë ndihmë mjekësore dhe po ashtu edhe pasi hynë në veturë e lëndon edhe një polic tjetër dhe i godet në këmbë zyrtarët policorë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, i pandehuri Sh.H., me urdhër të prokurorit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.