Sulmoi zyrtarin policor- Dardan Molliqaj arrin marrëveshje me Prokurorinë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Sulmoi zyrtarin policor- Dardan Molliqaj arrin marrëveshje me Prokurorinë

    Insajderi
    05 May 2025 - 16:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë të arritur ndërmjet Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Dardan Molliqajt- kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD) lidhur me akuzën për sulm ndaj zyrtarit policor në protestën e PSD-së kundër shtrenjtimit të rrymës në vitin 2022.

    Prokurorja Ardiana Veseli tha se i pandehuri përmes mbrojtësit të tij ka parashtruar kërkesë për negocimin e marrëveshjes së pranimit të fajësise, andaj me aprovimin e kryeprokurorit Zejnullah Gashi, është arritur kjo marrëveshje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Prokurorja propozoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, i cili dënim me pëlqimin e të pandehurit të zëvendësohet me gjobë në shumën prej 500 deri në 550 euro.

    Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Molliqaj, avokati Dren Kukaj deklaroi se e mbështesin këtë marrëveshje.

    Gjyqtarja e rastit, Valbonë Fejza tha se janë plotësuar kushtet ligjore lidhur me marrëveshjen, kështu që e njëjta u aprovua nga Gjykata.

    Shpallja e aktgjykimit u caktua për një datë tjetër.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 11 shkurt 2022, Dardan Molliqaj akuzohet se më 29 janar 2022 rreth orës 14:00, në Prishtinë, e ka sulmuar personin zyrtar- tani të dëmtuarin Valon Braha, i cili ka qenë në cilësinë e zyrtarit policor së bashku me kolegët e tij i angazhuar në planin operativ për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si rrjedhojë e protestës së organizuar nga Partia Socialdemokrate (PSD) për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumatorë, si dhe për të penguar hyrjen e protestuesve në objektin e Qeverisë.

    Aktakuza thotë se i dëmtuari Braha së bashku me policët e tjerë janë vendosur në hyrje të objektit në fjalë, mirëpo edhe përkundër kësaj i pandehuri së bashku me protestuesit tjerë i kanë shtyrë zyrtarët policorë, me qëllim që të hyjnë në brendi të Qeverisë, kurse të dëmtuarin Valon Braha e ka sulmuar duke e goditur me grushtin e dorës së djathtë në fytyrë, ku si pasojë e kësaj goditje i dëmtuari në fjalë ka pësuar lëndime të lehta trupore në formë të gërvishtjes në regiionin e qafës.

    Për këto veprime, i akuzuari Molliqaj ngarkohet me veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402, par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    28 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark