
Kombëtarja e Kosovës ka siguruar një fitore të rëndësishme ndaj Islandës në ndeshjen e parë të play-offit të Ligës së Kombeve.
Në përballjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, “Dardanët” fituan me rezultat 2:1, duke marrë një avantazh të vlefshëm për ndeshjen e kthimit.
Goli i parë erdhi në minutën e 19-të nga Lumbardh Dellova, por Islanda barazoi shpejt me Oskarsson pas tre minutash.
Megjithatë, në pjesën e dytë, Kosova e rriti presionin dhe Elvis Rexhbeçaj shënoi golin e fitores në minutën e 58-të, duke realizuar për herë të parë me fanellën dardane.
Pavarësisht disa rasteve të tjera të krijuara, rezultati mbeti i pandryshuar dhe Kosova tani do të kërkojë suksesin final në ndeshjen e kthimit të dielën në Spanjë, ku synon një vend në Ligën B të Ligës së Kombeve.