Super-sfida PSG – Arsenal, kompleton sonte finalen e Championsit - Insajderi
×
  • Sport
  • Insporti

    Super-sfida PSG – Arsenal, kompleton sonte finalen e Championsit

    Insajderi
    07 May 2025 - 12:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Paris Saint-Germaini dhe Arsenali do ta kërkojnë sonte biletën e dytë të finales së madhe të Ligës së Kampionëve.

    Gjiganti francez dhe ai anglez do të përballen mes vete në Paris në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të garës më prestigjioze të futbollit evropian.

    Parisienët e fituan betejën e parë në Londër me rezultat minimal, 1:0 dhe e kanë një përparësi të lehtë për ta prekur finalen e Munichut, shkruan Insajderi.

    Kjo madje ishte fitorja e parë ndonjëherë e PSG-së në gjashtë paraqitje me “Gunners”, ndërsa paraprakisht “Topçinjtë” i kishin fituar dy përballje dhe tri ndeshje mes tyre kishin përfunduar baras.

    Vetëm dy ekipe deri tash e kanë siguruar finalen e Championsit pasi e kanë humbur lojën e parë në shtëpi, Ajaxi dhe Tottenhami.

    PSG-ja dhe Arsenali janë në kërkim të finales së dytë të Championsit në histori të tyre.

    PSG-ja i ka fituar tri prej katër ndeshjeve të fundit në shtëpi në Ligën e Kampionëve duke i realizuar 14 gola në ato tri fitore.

    Mirpëpo, ata kanë humbur dy herë në këtë edicion të Championsit në “Parkun e Princave”, nga Liverpooli dhe nga Atletico Madridi.

    Nga ana tjetër, Arsenali i ka fituar katër ndeshjet e fundit në udhëtim në Ligën e Kampionëve.

    “Gunners” nuk i kanë fituar kurrë pesë ndeshje radhazi në një garë evropiane deri tash.

    Ekipi i Mikel Artetas synon që sonte ta përsërisë ndeshjen e madhe që e bëri në Madrid ndaj Realit, për ta përmbysur rezultatin e “Emirates Stadium”.

    Ndërkohë, parisienët përpara publikut të tyre të zjarrtë e kanë për qëllim ta konfirmojnë rezultatin e arritur në Londër dhe ta prekin finalen e madhe.

    Të dy ekipet po e synojnë trofeun e parë të Championsit, ndërsa fituesi i sontëm në finale do të përballet me Interin.

    Ndeshja mes PSG-së dhe Arsenalit do të nisë prej orës 21:00.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark