Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, për lirimin e tij nga paraburgimi.
Një gjë e tillë u bë e ditur nëpërmjet një njoftimi nga Supremja. Ata e kanë vlerësuar si të pabazuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin nga paraburgimi të Krasniqit.
“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë ndaj të pandehurit N.K., të paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës. Në çështjen penale ndaj të pandehurit N.K., për shkak të veprave penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi i ndikimit, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, konflikti i interesit, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të pandehurit, avokatët Virtyt Ibrahimaga dhe Taulant Ferizi, në seancën e mbajtur më datë 16.05.2023, kolegji i Gjykatës Supreme vendosi për refuzimin e kësaj kërkese”, thuhet në njoftimin e Supremes.
Më 20 prill, Krasniqit iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.