Supremja në Hagë rrëzon kërkesën e Pjetër Shalës për zgjatje afati dhe fjalë shtesë në apelimin e dënimit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Supremja në Hagë rrëzon kërkesën e Pjetër Shalës për zgjatje afati dhe fjalë shtesë në apelimin e dënimit

    Insajderi
    18 August 2025 - 18:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.


    Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka hedhur poshtë kërkesën e Pjetër Shalës për zgjatjen e afatit për dorëzimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ia uli dënimin nga 18 në 13 vjet burgim për krime lufte.

    Përveç kësaj, Shala kishte kërkuar edhe lejimin e shtimit të numrit të fjalëve të lejuara për kërkesën e tij, kërkesë që gjithashtu është refuzuar.

    Vendimi lidhur me këto kërkesa është marrë më 8 gusht 2025, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në vendimin e Supremes, Paneli gjykues konstatoi se afati ligjor për dorëzimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, sipas Ligjit të DhSK-së, është brenda tre muajve nga shpallja e aktgjykimit dhe nuk mund të ndryshohet.

    Sa i përket kërkesës për fjalë shtesë, Gjykata thekson se Shala nuk ka ofruar arsye të vlefshme apo rrethana të veçanta që do të justifikonin një përjashtim nga rregullat.

    Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara e shpalli më 14 korrik 2025 aktgjykimin dënues ndaj Pjetër Shalës, duke ia ulur dënimin nga 18 në 13 vjet burgim.

    Trupi gjykues i përbërë nga Michele Picard (kryetare), Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, vendosi të miratojë pjesërisht pikën 7, 12 dhe 14 të ankesës së Shalës, ndërsa rrëzoi ankesat në të gjitha aspektet e tjera.

    Gjykatësi Ambos, i cili lexoi aktgjykimin, deklaroi:

    “Miraton pjesërisht pikën 7, pjesërisht pikën 12 dhe pjesërisht pikën 14 të apelit të zotit Shala. Rrëzon pjesërisht verdiktin e fajësisë për pikën 1 dhe 3 të aktakuzës në lidhje me pjesët e tyre që bazohen në ndalimin arbitrar të dy personave dhe në torturimin e pesë personave. Rrëzon apelin e zotit Shala për të gjitha aspektet tjera.”

    Apeli la në fuqi dënimin me 6 vjet burgim për pikën 1 të aktakuzës dhe anuloi dënimin me 16 vjet për pikën 3. Për pikën 4 të aktakuzës, u caktua dënim me 13 vjet, duke anuluar dënimin paraprak prej 18 vjetësh.

    Apeli anuloi dënimin unik prej 18 vjetësh të vendosur nga shkalla e parë dhe vendosi që Shala të dënohet me 13 vjet burgim, duke përfshirë kohën e kaluar në paraburgim.

    Shala ishte dënuar më 16 korrik me 18 vjet burgim, pasi u shpall fajtor përtej çdo dyshimi të arsyeshëm për tri pika të aktakuzës:

    Ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave,

    Torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave,

    Vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi, të kryera ndërmjet 17 majit dhe 5 qershorit 1999 në Fabrikën e Metalit në Kukës.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një urdhri të lëshuar nga DhSK. Që nga ajo kohë, ai ndodhet në paraburgim.

    Sipas aktakuzës së konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme – krime të cilat pretendohet se janë kryer në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me të.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark