
Hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka komentuar vendimin e Gjykatës Supreme, e cila ka shpallur të paligjshëm një vendim të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, lidhur me arkat fiskale.
Sipas Cakollit, Gjykata Supreme e ka bërë të qartë përfundimisht se “(ish-)ministrat, tashmë me mandat si deputetë, nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksione ekzekutive pas certifikimit të rezultateve nga KQZ”.
“Çdo vendim i marrë prej tyre pas 27 marsit është nul dhe bie ndesh me Kushtetutën, si dhe me parimin e ndarjes së pushteteve. Po ashtu, Gjykata konfirmoi se anëtarët e Qeverisë nuk mund të marrin vendime, sepse teknikisht Qeveria aktuale nuk ka më mandat për t’i miratuar ato”, ka shkruar Cakolli.
Ai shton se ky qëndrim është thënë nga KDI prej muajsh, por sipas tij, pushteti ka këmbëngulur të sillet sikur kjo situatë nuk ekziston.
“Kryeministri dhe ministrat e certifikuar si deputetë kanë vazhduar të marrin vendime – jokushtetuese, pa legjitimitet dhe jashtë çdo mbikëqyrjeje parlamentare – duke e shndërruar shkeljen në praktikë”, thekson ai.
Sipas Cakollit, tashmë nuk ka më vend për dilema apo interpretime të dykuptimta:
“Gjykata Supreme e vulosi atë që ka qenë e qartë që nga dita e parë. Nuk mund të ulesh në dy karrige dhe të sillesh sikur s’ka ndodhur asgjë. Çdo ditë e kaluar në këtë shkelje është dëm për institucionet dhe qytetarët. Mbi të gjitha, është bazë për ndjekje penale”, përfundon ai.
Raportohet se Gjykata Supreme e ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ, të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, me të cilin ishte pezulluar për 60 ditë shitja dhe abonimet e arkave fiskale.
Udhëzimi ishte nënshkruar më 15 prill 2025, por është shpallur i jashtëligjshëm nga një kolegj gjyqtarësh të Gjykatës Supreme, i kryesuar nga gjyqtarja Delushe Halimi, me anëtarë Lumni Sallauka dhe Franciska Zhitija-Ymeri.
Supremja ka aprovuar kërkesëpadinë e kompanive Enternet dhe Service Global, të cilat merren me shitjen dhe servisimin e arkave fiskale.
Për këtë vendim ka reaguar edhe vetë ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili ka shkruar në Facebook se:
“Monopoli i arkave fiskale, me kosto enorme për bizneset tatimpaguese, i vendosur në kohën kur Bedri Hamza kishte qenë Ministër i Financave, parashihej të merrte fund me Udhëzimin e Ri Administrativ, i cili hapte rrugën për arkat fiskale digjitale, siç tashmë e kanë bërë edhe shumica e shteteve në rajon”.
Murati e quan vendimin e Gjykatës Supreme absurd, duke thënë se ai do të ndërpresë procesin e digjitalizimit dhe do të lejojë që bizneset të vazhdojnë të mbajnë barrën e kostove të larta.
“Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale. Si pasojë e këtij vendimi, bizneset do të vazhdojnë të kenë kosto vjetore prej mbi 5 milionë euro në vit”, shkruan Murati.