Sveçla i heq shtetësinë një serbi të Kosovës, ishte pjesë e forcave të sigurisë së Serbisë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Sveçla i heq shtetësinë një serbi të Kosovës, ishte pjesë e forcave të sigurisë së Serbisë

    Insajderi
    14 June 2025 - 11:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Serbia ka punësuar shtetas të Republikës së Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, veprim që ai e ka cilësuar si cenim të sigurisë kombëtare të Kosovës.

    Për këtë arsye, Sveçla ka marrë vendim që t’ia heqë shtetësinë një shtetasi të Kosovës, Nikola Vujović, për shkak të pjesëmarrjes së tij në forcat policore të Serbisë.

    “Në kuadër të përpjekjeve sistematike për destabilizim të brendshëm të Republikës së Kosovës, Serbia ka punësuar shtetas të Republikës së Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, akt ky në kundërshtim me ligjet tona dhe cenim i sigurisë sonë kombëtare. Duke pasur parasysh qëllimet agresive të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, adresimi institucional i rasteve të tilla është jo vetëm një çështje e rendit ligjor, por një domosdoshmëri për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe sovranitetit shtetëror,” tha ai.

    Ai theksoi se vendimi për heqjen e shtetësisë është marrë në përputhje me legjislacionin përkatës, aktet nënligjore dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse.

    “Bazuar në legjislacionin tonë përkatës për shtetësi, aktet nënligjore dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse, sot kam marrë vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës për Nikola Vujović, për rrezikim të sigurisë sonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë,” njoftoi Sveçla.

    Ai shtoi se Kosova nuk do të lejojë asnjë shtetas të saj të minojë shtetësinë e vendit.

    “Nuk mund dhe nuk do ta tolerojmë në asnjë formë cenimin e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës nga kushdo qoftë. Kosova është vendi i gjithë shtetasve tanë dhe nuk do të tolerohet që asnjëri të bëhet instrument i minimit të shtetësisë së saj. Institucionet tona mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit dhe sigurisë”, përfundoi ministri.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark