Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas pretendimeve të ish-kryeinspektorit të AKI-së, Burim Ramadani, se u sulmua me kallashnikov në Liqenin e Ujmanit, shkruan Gazeta Insajderi.
Sveçla e ka mohuar se është sulmuar ndonjëherë në veri të vendit.
Tutje Sveçla është bërë pak dramatik në statusin e tij, duke thënë se lutet që në rast të ndonjë sulmi ndaj tij, të mos e pësojnë njerëzit përreth.
Në reagimin e tij ai thotë se nuk frikësohet.
Reagimi i plotë nga ministri i Brendshëm:
Dje në një paraqitje televizive, ish kryeinspektori i AKI-së Burim Ramadani paska deklaruar diçka që aspak nuk është e vërtetë. Unë asnjëherë nuk jam sulmuar në Liqenin e Ujmanit, as me Ak 47 e as me asnjë metodë apo mjet tjetër. E gjitha është fabrikim i tij, arsyet nuk i di. Unë kam qenë në Ujman me barkë të shtunën së bashku me Kryeshefin e Ibër Lepencit dhe shefin e NjNSh-së së kufirit, vizitë e cila jo vetëm se ka shkuar shumë mirë por ka qenë edhe shumë produktive.
Unë as nuk do të reagoja ndaj kësaj gënjeshtre, siç nuk reagoj ndaj shumë të tjerave, po të mos njihej fakti se ky person ka mbajtur një pozitë ku integriteti do të duhej të ishte një ndër cilësitë kryesore.
Sulmet edhe mund të ndodhin, por ato as nuk na frikesojnë as nuk na zbrapsin. Unë veq lutem që nëse kjo të ndodhë, mos të pësojnë njerëzit përreth meje.
Edhe po, shkoj shpesh edhe te Kukësi, Tropoja, Hasi e Dragashi, se e kam një amanet prej shumë gjeneratash për atë kufirin atje!