
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka deklaruar sot se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës është duke u angazhuar për lirimin sa më të shpejtë të ish-policit Arbnor Spahiu, i arrestuar nga autoritetet serbe.
“MPJ është duke u angazhuar që ky qytetar i Republikës së Kosovës të lirohet sa më shpejt dhe këso rastesh të mos ndodhin më”, u shpreh Sveçla para mediave, në hyrje të Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë, Bashkëshortja e ish-policit të Njësisë Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili ndodhet i arrestuar në Serbi dhe po akuzohet për “vrasje të rëndë” në rastin e Banjskës, ka kërkuar publikisht ndërhyrjen dhe reagimin e institucioneve të Kosovës, përfshirë Presidenten Vjosa Osmani, shkruan Insajderi.
Arieta Spahiu shprehu zhgënjimin e thellë për heshtjen institucionale që, sipas saj, po e shoqëron arrestimin dhe trajtimin e bashkëshortit të saj.
Ajo e quajti këtë heshtje një padrejtësi që po rëndon mbi të gjithë familjen dhe tha se Arbnori ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetje.
“Arbnori ka kontribuar për sigurinë e Kosovës për vite me radhë. Dhe sot, kur ai ka më shumë se kurrë nevojë për përkrahje, është lënë në heshtje. Asnjë institucion nuk ka reaguar. As Presidentja e vendit, as Kuvendi, as askush tjetër. Dhe kjo heshtje është një dhimbje tjetër për familjen time,” tha Spahiu në një prononcim për Televizionin Dukagjini.