Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kujtuar Rreshterin Afrim Bunjaku në përvjetorin e parë që nga vrasja e tij në krye të detyrës në Banjskë.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se tënia e tij mbrojti sovranitetin e territorin e vendit, andaj është edhe heroike, edhe e paharrueshme.
“Përgjegjësia për vrasjen e Heroit Afrim Bunjaku dhe organizimit të atij sulmi terrorist është drejtpërdrejtë e Serbisë. Drejtësia është e pashmangshme dhe Serbia duhet të dorëzojë terroristët sa më parë”.
“Rruga e fshatit Banjskë ku u vra Rreshter Afrimi nga sot mbanë emrin e tij. Ajo është rruga që kolegët e tij e kalojnë çdo ditë në shërbim. Mesazhi që dha Rreshter Afrimi është i qartë, terrorizmin e luftojmë me çdo kusht. Rruga që trasoi Afrimi është e përditshmja jonë bashkë me kolegët e tij, sundimi i rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës sonë”.
“Sot kur kujtojmë e lartësojmë Afrim Bunjakun, qëndroj pranë familjes së tij, kolegëve e miqve për të ndarë dhimbjen po aq sa edhe krenarinë që atë e patëm në mesin tonë”, ka thënë Sveçla.