Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka shpërfillur kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, rreth idesë për hapjen e urës mbi lumin Ibër.
Në një vizitë që Sveçla ia bëri urës bashkë me ministrin tjetër, Elbert Krasniqi, tha se hapja e urës së Ibrit nuk është cështje e dialogut, sic deklaruan diplomatët ndërkombëtar.
“Inspektimi është në dy faza, jemi në proces, po veprojmë sipas planit të cilin ne po e ndajmë me bashkëpunëtorët tanë dhe s’po shoh asgjë të jashtëzakonshme. Çështja është e mbyllur, qysh më 2016. Nuk është çështja e dialogut fare. Është çështje e të drejtës për t’u hapur dhe e një vendimi që është tashmë publik”, ka thënë Sveçla për gazetarët.
E çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër, i ka shtyrë të reagojnë përfaqësuesit e QUINT-it.
Ambasadori amerikan në Prishtinë tha se pas bisedave të tyre me NATO-n kanë marrë vendim që mos ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të urës së Mitrovicës në këtë kohë.
“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku, me ambasadorin e BE në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të urës së Mitrovicës në këtë kohë”, ka deklaruar ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier.
/Insajderi.org/