Selektori i kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho ka dhënë një intervistë për “TV Klan” në Shqipëri, duke komentuar paraqitjen në Europian dhe jo vetëm.
Trajneri brazilian ka bërë me dije se Europiani ka qenë një mësim i mirë për kombëtaren shqiptare, si edhe për të vetë.
“Kemi mësuar shumë, eksperiencë e shkëlqyer. Si bashkëpunëtor kam qënë në Kombëtaren e brazilit në Botërorin e Rusisë. Edhe Europiani ka një nivel të njëjtë. Ne kemi një skuadër të re dhe kjo është e bukura. Kemi luajtur kundër lojtarëve dhe skuadrave shumë të forta. Të shkosh atje është një luks, për ne ishte çmenduri. Në aspektin personal mësova shumë. Çdo gabim të kushton shumë sepse niveli i garës është shumë i lartë”, ka thënë Sylvinho.
Tutje, ai tha se rinovimi i kontratës më FSHF-në ka qenë i lehtë, pasi tash është familjarizuar me lojtarët shqiptarë dhe me vetë popullin.
“Sot ne nuk nisemi nga zero me Kombëtaren shqiptare. Sot ne nisemi nga më shumë se 50% njohje të ekipit dhe lojtarëve. Tashmë duhet të përmirësohemi, të shkojmë pas shumë futbollistëve të tjerë që mund të na shërbejnë. Ne jemi të kënaqur pasi njohim Tiranën, Federatën, njohim shqiptarët, kështu që rinovimi për ne ishte i lehtë”, shtoi braziliani.
Tekniku brazilian po ashtu përmendi edhe Ligën e Kombëve, sfidën e tij të ardhshmë në krye të Shqipërisë.
“Liga e kombeve është e vështirë, dhe kemi një grup të vështirë me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Çekinë. Ne do të luftojmë për çdo pikë. Nuk do të jetë e lehtë por ne do të futemi në çdo ndeshje për të fituar”, tha Sylvinho.
Kombëtarja e Shqipërisë e nis aventurën në Ligën e Kombeve të këtij edicioni më 7 shtator ndaj Ukrainës, derisa e përfundon më 19 nëntor, po ndaj të njëjtit kundërshtar.