×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Sylvinho: Kombëtarja është e hapur për çdo shqiptar

    Insajderi
    10 September 2024 - 09:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shqipëria do të luajë ndeshjen e radhës përballë Gjeorgjisë sonte në “Arenën Kombëtare”, e vlefshme për Ligën e Kombeve.

    Në konferencën përpara ndeshjes, trajneri i Kombëtares, Sylvinho u shpreh se të gjithë lojtarët janë gati dhe se pret një ndeshje të bukur në Tiranë, transmeton tch.

    “Do mundohemi të bëjmë një përfaqësim sa më të mirë. E kam thënë që ky është një grup i ekuilibruar. Ukraina është shumë e fortë. Gjeorgjia gjithashtu dhe trajneri ka bërë një punë të mirë. Çdo trajner e përgatit skuadrën për ta fituar. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e bukur, stadiumi do të jetë plot. Ne duam të përfaqësojmë sa më mirë kombin në ndeshjen e nesërme.

    Përgjatë një ndeshje mund të bësh 5 ose 2 ndryshime në varësi të situatave. Skuadra ishte e vendosur mirë me Ukrainën. Është kohë shumë e vogël për të rikuperuar për lojtarët. Sot do të jetë stërvitja e parë pas kthimit nga Praga. Gjithë stafi dhe ne do të vendosim se cilët do të jenë lojtarët e duhur për t’u hedhur në fushë.

    Do të shohim gjendjen fizike të lojtarëve. Kemi 23 lojtarë të gatshëm, të gjithë janë në formë të mirë. Është akoma shumë herët, ndoshta nesër pas drekës do të kemi një pamje më të gjerë.

    Prej një viti e gjysmë qëkur kemi bërë ndeshjet me Kombëtare, kemi nisur me skemën 4-3-3. Uzuni atë kohë ka luajtur si sulmues krahu, tani e kemi thirrur si sulmues qendre. E njëjta gjë ka ndodhur me Bajramin, e kemi thirrur si mesfushor krahu dhe më pas është spostuar në qendër. E kemi nisur me 4-3-3, por është transformuar dhe si 4-2-3-1 dhe gjatë lojës është kthyer në 4-2-2-2. Por do të vendoset në bazë të gjendjes së lojtarëve. Bajrami është lojtarë që ka nevojë për hapësirë, i kemi mundësitë dhe çdo gjë do të vendoset më pas.

    Është bërë një punë e mirë nga stafi. Lojtarët e dinë që duhet të sjellin shumë forcë dhe të posedojnë topin, sepse futbolli të konsumon shumë energji. Dua të rikujtoj një shprehje të Klopp. Nëse nuk bën gabime nuk ke pse kthehesh në mbrojtje. Gjithsesi Gjeorgjia është shumë e fortë. Shumë e bukur për t’u parë, shumë e organizuar dhe besoj se do të jetë një ndeshje vërtet e bukur.

    Kvara si Maradona? Nuk dua të futem në krahasime të tilla. Ai është fantastik, por Gjeorgjia ka dhe shumë lojtarë të tjerë të mirë. Ai nuk është krahasim i duhur, por Kvara është një lojtar klasi. Është nder të luash kundër tij, njësoj siç ishte kur luajtëm kundër Lewandowskit. Ne kemi lojtar të mirë gjithashtu që mund do të arrijnë në po atë nivel.

    Ne kemi studiuar dhe e kemi parë prej muajsh ekipin e Gjeorgjisë. Të tre kundërshtarët e grupit janë të fortë, por diferenca mes Gjeorgjisë dhe të tjerët është që në Europian, ata u kualifikuan nga grupi. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Mendoj se ata si ekip janë rritur shumë. Doja t’i jepja komplimente skuadrës, trajnerit dhe federatës së Gjeorgjisë. Gjithashtu dhe ne po rritemi shumë. Mendoj se do të bëjmë një ndeshje shumë të mirë. Në momentin që nis ndeshje janë 90 minuta që duhen të luhen.

    Manaj, Laçi dhe Ismajli? Më pëlqen që ne kemi krijuar këtë marrëdhënie mes nesh ku mund të diskutojmë dhe të ndajmë shumë gjëra bashkë. Futbolli është si jeta dhe mund të kthehet si mundësi më vonë. Gjimshiti nuk ishte pjesë e Euro 2016 dhe në Euro 2024 ishte kapiten i Kombëtares. Nuk kam asgjë personale me lojtarët. ‘Rikujtoj një shprehje të Ancelottit. Një lojtar mund të mërzitet me mua si trajner, por jo me mua si Carlo’. Kujtoj se kemi bërë një Europian të bukur, ku mund të pësonim 4-5 gola. Unë e shoh si një cikël i ri që duhet të përmirësohet. Kombëtarja është e hapur për të gjithë. Tashmë kemi sjellë Zekën dhe Spahiun. Më pëlqen që lojtarëve i është krijuar ideja që duhet të përmirësohen për të qenë pjesë e formacionit.

    Nuk mund të bëj krahasime me 2 vite përpara. Të dyja ekipet kanë ndryshuar shumë. Do të jetë një ndeshje e fortë. Ata kanë lojtarë dhe një trajner shumë të mirë. Ne do të futemi në lojë për të bërë një paraqitje të mirë. Nuk mund të bëj një parashikim, por besoj se do të jetë një ndeshje shumë e bukur.

    E kam parë ndeshjen e Gjeorgjisë me Rep. Çeke. Grupi është i balancuar. Nuk ka ndonjë ekip që mund t’i fitojë të gjitha ndeshjet. Rep. Çeke dhe Gjeorgjia e njohin mirë njëra-tjetrën. Ky është një kompeticion shumë i vështirë, duke parë që luhet për vetëm tre muaj. Por deri në nëntor kemi shumë kohë përpara”, u shpreh Sylvinho.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark