Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka folur pas shortit për kualifikueset e Kampionatit Botëror, ku Shqipëria do të përballet me Serbinë, Anglinë, Letoninë dhe Andorrën.
Duka tha se nuk është shumë i lumtur me atë që vendosën goglat, pasi tha se Anglia është skuadër e vështirë, teksa për Serbinë tha se “është një kundërshtar me problemet e veta”.
“Serbia është një kundërshtar me problemet e veta. Nuk kemi eksperienca të mira nga përballja në Beograd. Uroj këtë herë të jetë ndryshe. Andorra nuk më pëlqente, sepse ndeshjet janë në tre ditë dhe duhet të udhëtosh nga Barcelona për 3 orë”.
“Presidentes së Federatës Angleze i thashë që nuk doja ata në grup, por ashtu ndodhi. Është luks të luash ndaj Anglisë. Është vështirë për rezultat, por kam besim”.
“Organizimi në Beograd i takon Federatës Serbe, ne na takon të fitojmë. Serbia luan në ‘play off’ dhe prandaj me ta do të përballemi në vjeshtë. Të gjitha janë të rëndësishme, jo vetëm Anglia”, tha Duka për TV Klan.
Për shortin foli edhe trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, i cili tha se e priste këtë grup të vështirë, dhe se sipas tij, kombëtarja duhet të gabojë sa më pak të jetë e mundur në mënyrë që të shkojë përpara.
“Ne duhet të përballemi në garë si gjithë të tjerët. Ne dimë që është historia pas saj. Ne jemi këtu për të luajtur futboll, jemi profesionistë, për të bërë gjëra të bukura. Historia pas është shumë e rëndësishme. Ne jemi këtu për të luajtur”, tha ai.