Syri drejt një ekrani elektronik - Rasti studimor për herë të parë në Shqipëri për Autizmin Virtual - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Syri drejt një ekrani elektronik – Rasti studimor për herë të parë në Shqipëri për Autizmin Virtual

    Insajderi
    02 April 2021 - 11:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Enxhi Nasto

     “Ia bleva se e kërkoi”, kjo është fraza e zakonshme me të cilën individi në rolin e tij prindëror tregon se sapo ka dështuar në betejën e rradhës përball lotëve të fëmijës që në momentin kur ai ka shprehur dëshirën për të shtuar rradhën e pajisjeve teknologjike në dhomën e tij.

     Një frazë e tillë duke nënkuptuar se gjërat blihen atëhere kur kërkohen, pavarësisht mënyrës dhe arsyes për të cilën kërkohen, tregon se ky prind ka humbur që në fazën fillestare të prindërimit.

    Mungesa e përballjes në mendime me fëmijën tënd për të ndarë mendimin e drejtë nga e gabuara, gjeneron një sërë pasojash që vështirë se mund të rregullohen në një të ardhme të afërm kur ky fëmijë të fitojë autonominë e tij.

    Duhet kuptuar se fraza “ia bleva se e kërkoi” përçon mesazhe dhe sinjale të gabuara, duke e edukuar me mendimin se dëshirat realizohen vetëm atëhere kur ti bërtet, ti qan dhe ti zemërohesh.

    Brezi i sotëm ka një të tashme të projektuar vetëm tek ekranet elektronike. Lojërat elektronike kanë zëvëndësuar dëshirën për të vendosur në lëvizje gjymtyrët e trupit, imagjinatën dhe kreativitetin e tyre; kanë rritur nivelin e përqëndrimit të syve në drejtimin majtas dhe djathtas për të mposhtur në lojë kundërshtarin në një video game, kur në fakt po mësojnë në mënyrë fiktive se si fitohet. Kur duhet kuptuar dhe theksuar se konkurrenca dhe gara e vërtetë nuk është në virtualitet, por në jetën reale.

    Filloni t’i mësoni me idenë se konkurrenca është një kontratë me të ngjashmin, me dikë që e meriton këtë garë; që do të thotë të arrish të sfidosh më të mirin për të kuptuar aftësinë tënde. Qëndrimi për një kohë të gjatë në strehën e kompjuterit është fillimi i atrofizimit të trurit. Ndryshimi i kësaj rutine është sfida me e madhe për një prind.

     A mendoni se jeni të gatshëm për ta përmbysur këtë situatë? Në të njëjtën gjatësi vale mendimi shprehet edhe Karl Popper (cit. nga Zhapaj, 2014) ku shprehimisht thuhet se: “kompjuteri është një hajdut i kohës: fëmijëve u grabit orë të çmuara, thelbësore për të mësuar diçka në lidhje me botën dhe vendin që secili zë”.

    Kompjuteri, me pushtimin e tij, ka vjedhur kohën e nevojshme që ky fëmijë të mos kuptojë talentin e tij, potencialin e një lideri që mund të drejtojë të ardhmen. Ndërkohë realiteti po dëshmon rritjen e fëmijëve që po fitojnë instikte të kufizuara falë fenomenit të ri të quajtur autizmi virtual.

    “E thërras, por nuk më përgjigjet në moment”, është ankesa e një prindi të anketuar në studimin e realizuar në bashkëpunimin me Fondacionin Hiperactivity Albania, i cili në zakonshmërinë e tij përballet me refuzimin e të folurit nga fëmija e tij vetëm sepse po shikon serialin televiziv, e cila e ka magnetizuar tërësisht.

    “E thërras, por nuk më shikon”, është shqetësimi që shpreh një tjetër prind duke nënkuptuar se sytë e fëmijës vazhdojnë të jenë të inkuadruara në ekranin e madh sepse aty ai ndjen se gjen vetveten. Drita dhe zhurma nga ekranet elektronike kapin vëmendjen e një fëmije, por ato nuk të çojnë drejt një zhvillimi të një truri të shëndoshë. Kompjuteri është një strehë që të shtyn drejt vetmisë (Zhapaj, 2014).

    Përdorimi masiv i pajisjeve elektronike ndikon në rritjen e vetmisë dhe asocialitetit të tij. Shoqërizimi me një ekran të ngurtë që nuk të përcjell emocione të një përqafimi të ngrohtë, me të cilin nuk shkëmben mendime të vërteta dhe të sinqerta, kjo bën që fëmija të fillojë të jetojë brënda një objekti të ngurtë duke humbur kontaktet me botën reale.

    Në këtë kuadër, nevojiten disa mekanizma modifikues të sjelljes së fëmijës duke i prezantuar modelet e gabuara që kanë ardhur si rezultat i përdorimit të tepërt të ekraneve elektronike në mënyrë që edhe ai të kuptojë rëndësinë e limitit kohor.

    Mirëpo edhe pandemia globale COVID -19 po intensifikon përdorimin e platformave virtuale nga fëmijët duke i afruar edhe më shumë këta të fundit me shfaqjen e një autizmi në nivel të moderuar.

    Informatizmi i sistemit të jetës për shkak të pandemisë ka çelur një sfidë të re për gjithë njerëzimin, por pyetja që shtrohet është: “A janë të gatshëm prindërit të mbrojnë fëmijët e tyre dhe të sfidojnë efektet anësore të elektronikës sot?!   


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark