×
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    “Ta çkyjë gojën, dil jashtë kofsh burrë” – Stomatologu nga Peja e akuzon zyrtarin policor për sulm fizik e kërcënim

    Insajderi
    11 September 2024 - 10:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Jo rrallë herë raportohet për zyrtarë policorë që keqpërdorin detyrën zyrtare, duke u thirrur në atë se “janë shteti”. Një rast i tillë po dyshohet se ka ndodhur në Gjakovë. Zyrtari policor e ka kanosur e sulmuar fizikisht një qytetar me profesion stomatolog. Krejt kjo pasi kërkoi të di arsyen e ndaljes teksa ishte në makinë. I njëjti ankesën e tij e ka adresuar në Inspektoratin e Policisë së Kosovës por edhe në Gazetën Insajderi.

    A.Kollqaku (viktima) thotë se zyrtari policor Shkumbin Juniku e kërcënoi e edhe e sulmoi fizikisht në natën e 2 shtatorit teksa po kthehej nga Gjakova në Pejë, aty edhe ku banon.

    Kjo sipas tij ndodhi pasi e pyeti për arsyen e ndalimit, e gjobën që mund t’i shqiptohej.

    Pasi thotë se i kërkoi të sillej me mirë, meqë pretendon se i fliste me ton të lartë, polici Shkumbin Juniku iu kthehet me të fortë.

    Madje i njëjtit thotë se iu drejtua edhe me shprehjet “Ta çkyjë gojën, hajde jashtë dil n’kofsh burrë”, teksa shton se edhe e kishte goditur në krahun e majtë.  

    Mbrëmë ka ora 1:20, 2 shtator duke u kthy prej Gjakovës për Pejë, më ndalun pasi u ndala e kërkoi patentë shoferin lejen e qarkullimit duke ia dhënë e pyeta, a bën me ditë arsyen e ndaljes, më tha tash e merr vesh ti. Më tha dil jashtë tha te kerri kur u afrova te kerri i policisë më pyeti për emrin e babës ja tregova, e pyeta sa është dënimi, filloi të bërtit 3 muaj patentë shoferi, dhe 200 euro…“, rrëfen ai.

    ..I thashë a je nervoz a, pastaj i thashë qysh patentë shoferin, unë jam doktor udhëtoj çdo ditë me kerr, tha kurgjo s’osht. Thashë në rregull, veç pse po silleni keq. Më tha, tash e merr vesh çka është keq, shtyje makinën përpara.    Mandej u afru ma çeli derën e makinës ma mshoj në krah të majt e kapke rrypin e sigurisë dojke me ma hek se kesh i lidhum. Thojke t’a çkyjë gojën, hajde jashtë dil n’kofsh burrë lypke me u rreh pastaj kolega vet pak e largoi më tha nisu, jepi gaz masi u nisa prap mu afru te dritarja mthirrke me dal jashtë më kërcënojke”, ka thënë Kollqaku për Insajderi.

    Në orët e hershme të mëngjesit, pra të dy shtatorit ai konfirmoi se iu drejtua stacionit të Policisë në Gjakovë për ta denoncuar kolegun e tyre, për siç thotë ai “sjellje jo normale e sulm”.

    Se ai është ankuar në Inspektoratin Policor, për Insajderin e kanë konfirmuar nga ky institucion.

    “Duke ju referuar kërkesës suaj, në këtë fazë ju konfirmojmë se IPK ka pranuar ankesën në fjalë . Ankesa është duke u trajtuar në Departamentin për menaxhimin e ankesave në IPK”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Insajderi.

    Pas këtij konfirmimi, Gazeta Insajderi ka kërkuar edhe disa herë tjera përgjigje nga IPK lidhur me rastin konkret, por të njëjtit përveç konfirmimit se kanë pranuar ankesën nuk kanë dhënë ndonjë detaj konkret.

    Insajderi e ka kontaktuar edhe zyrtarin policor, Shkumbin Juniku për të mësuar edhe varianti e tij, por as ai nuk ka kthyer përgjigje.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark