×
  • Lajme
  • Analiza

    Ta luftojmë thashethemin se Vetëvendosja është parti islamiste”, a e vulosi Kurti përjashtimin e deputetëve me bindje fetare?

    Insajderi
    21 September 2022 - 16:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sikur anëtarët e degëve që u linçuan nga zgjedhjet e brendshme të partisë, a do t’i linçojë Albin Kurti edhe deputetët që votuan kundër Kodit Civil për shkak të bindjeve “ndryshe” të tyre?

    Kryetari i Vetëvendosje, Albin Kurti, mbrëmë e ka konfirmuar kandidaturën e tij edhe për një mandat në krye të Lëvizjes.

    Në ngjarjen e ‘rëndësishme’ për partinë, foli gjatë lideri i saj, shkruan Gazeta Insajderi.

    Përpos shumë çështjeve, Kurti tha se “nga shkolla politike duhet dekonstruktuar tezat që qarkullojnë si thashetheme mediale në lidhje me qëllimin dhe karakterin e Lëvizjes sonë”.

    “Për shembull, teza të tipit “Lëvizja VETËVENDOSJE! është islamiste…”, tha Kurti para depudetëve dhe mbështetesve të tij, shkruan Gazeta Insajderi.

    Çfarë nënkuptoi Kurti me këtë fjali?

    I pari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sikur i konfirmoi zërat se disa nga anëtarët e Lëvizjes që kishin pretendime për kryetar të degëve ishin përjashtuar nga gara pikërisht për shkak të bindjeve të tyre që lidheshin me islamin.

    Njëjtë siç i ndodhi anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Beni Kizollit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ai ditë më parë tha se “është përjashtuar nga gara për kryetar të degës së LVV-së në Prizren për shkak të qëndrimit të tij kundër Kodit Civil”.

    Por, ky nuk është rasti i vetëm. Ngjashëm deklarohet t’i ketë ndodhur edhe aktivistit Ramadan Beshiri.

    Ai pretendon se iu mohua e drejta për kandidim, pasi thotë se u quajt “islamik”.

    Këtu aludon rreth qëndrimit për Kodin Civil, e cila është raportuar se po bëhet si arsye për të “eliminuar” kandidatë.

    Ndër të tjera, Beshiri thotë se VV-ja ia mohoi garën edhe pasi i doli kundër Agim Bahtirit në zgjedhjet lokale, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në komunën e Lipjanit, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur ta eliminojë nga gara Shkëlzen Bislimin.

    Përmes një shkrimi në Facebook ai ka njoftuar, se ka dhënë dorëheqje, pasi thotë se i është ndaluar të garojë për kryetar të Qendrës së VV-së në Lipjan.

    Ndër të tjera, ai thotë se nuk mund të qëndrojë në një organizatë ku s’respektohen “bindjet fetare”.

    Me akuza për orkestrime të degës së Lipjanit nga zyra qendrore e LV-së në Prishtinë, anëtari i saj, Shkelzen Bislimi, i lajmëron largimin e tij nga partia e Albin Kurtit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Nisur nga fjalimi i mbrëmshëm i këtij të fundit, ku thotë se “duhet dekonstruktuar tezën Lëvizja VETËVENDOSJE! është islamiste”, duket se eleminimet e këtyre kandidatëve nga gara për zgjedhjet e brendshme janë ‘urdhëruar’ pikërisht nga i pari partisë.

    Pse Kodi Civil u bë problem i përçarjes në Lëvizjen Vetëvendosje?

    Kodi Civil kishte dështuar të miratohej në Kuvend pikërisht pse për të kishin votuar kundër edhe deputetët e pushtetit.   

    Kur më 16 mars kjo çështje kishte dalë në Kuvendi, nga 61 deputetë sa kishin votuar, 29 ishin kundër, 28 për dhe 4 abstenime, në mesin e të cilëve 14 ishin nga radhët e LVV-së.

    Projekt – kodi Civil e definon martesën ndërmjet personave me gjini të ndryshme, si dhe në veçanti për Nenin 1138, paragrafi 2, i cili parasheh “bashkësitë e regjistruara civile me seks të njëjtë”.

    Saktësisht për këtë çështje ligjvënësit e Kurtit kishin votuar kundër – disa nga të cilit ishin: Gazmend Gushinca, Labinotë Demi – Murtezi, Eman Rrahmani, Burim Karameta, Gramoz Agusholli, Visar Korenica, Driton Hyseni, Fitim Haziri, Drita Millaku dhe Fjolla Ujkani, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sikur anëtarët e degëve që u linçuan nga zgjedhjet e brendshme të partisë, a do t’i linçojë Kurti edhe deputetët e lartëpemendur për shkak të bindjeve “ndryshe” të tyre?

    Mbetët të shihet nëse prijësi i partisë, do t’i vendos ata në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme.

    Ndryshe, në Projekt-kodin Civil thuhet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

    Por, në nenin e radhës thuhet se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

    Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

    Në Projekt-kodin Civil nuk definohet se çfarë është “bashkësi civile”. Por, megjithatë, aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark