Dhjetra vullnetarë morën pjesë në aksionin “Ta Pastrojmë Brezovicën” të organizuar në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit.
U larguan mbi 100 thasë me mbeturina nga brezi rrugor në Brezovicë, ndërsa me makineri filloi pastrimi i deponisë së mbeturinave, duke larguar mbi 30 ton me mbeturina.
Organizatoret e “Lets do it” falënderojnë veçanërisht Kompaninë e Sigurimeve “Sigal”, Komunën e Shtërpcës, dhe shoqatën “Sharri Wildlife”,Drejtoria e Parkut Kombëtar “Sharr”, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre.
“Një falënderim i veçantë i shkon edhe Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), e cila ka pranuar pa pagesë mbeturinat e grumbulluara sot dhe ato që do të grumbullohen nesër.
Një falënderim i posaçëm shkon për nxënësit e shkollës “Horizon School” për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre të rëndësishëm në këtë aksion.
I bëjmë thirrje qytetarëve dhe bizneseve lokale që të jenë më të përgjegjshëm dhe të mos hedhin mbeturina. Gjithashtu, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për mirëmbajtjen e parkut kombëtar të Brezovicës”, shkruan në njoftim.