Një e ardhme me makina pa shoferë shtrihet përpara nesh, por çfarë pasojash do të ketë kjo në shoqëri dhe ekonomi? Ekspertët krahasojnë të mirat dhe të këqijat e një transporti robotik
Makinat pa shoferë pritet të sjellin një epokë të re të lëvizjes, sigurisë dhe lehtësimit në qarkullim, por ato mund të çojnë edhe në shtim të trafikut.
Problemi është se shumë njerëz do të përdorin teknologjinë kur të bëhet gjerësisht e disponueshme, sipas kërkuesve të transportit.
Ekspertët parashikojnë se makinat robotike do të fillojnë të çojnë fëmijët në shkollë, në mësimet private apo në stërvitjet sportive. Njerëzit me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit do të kenë mjet të ri lëvizjeje.
Ata që kanë rrugë të gjatë për në punë dhe për t’u kthyer në shtëpi do të mund të punojnë, flenë, hanë apo të shohin filma përgjatë rrugës. Njerëzit mund të qëndrojnë më shumë në shtëpi sepse mund të dërgojnë makinat të marrin për ta gjërat e ndryshme që kanë porositur online.
Por si rezultat, kërkuesit besojnë se numri i makinave pa shoferë do të rritet shumë. Është më pak e sigurt nëse kjo do të ndikojë negativisht në rritjen e trafikut, por mundësia është shumë e madhe.
Gary Silberg, një ekspert i industrisë auto në firmën KPMG, e krahason këtë me prezantimin e smartfonëve. “Makinat pa shoferë do të jenë të domosdoshëm në jetën tuaj të përditshme”, tha ai. “Do të ketë shumë gjëra që ne nuk arrijmë t’i mendojmë sot”.
Makinat që mund të ecin nëpër rrugë vetë pa shoferë sipas kushteve të përcaktuara dhe përkufizuara mirë, pritet të jenë të disponueshme brenda 10 viteve. Versionet e mundshme për t’u nagivuar sipas të gjitha kushteve, pritet të marrin 10 deri në 20 vite.
Bazuar në grupet e fokusit në Atlanta, Denver dhe Çikago, KPMG parashikon shërbime autonome të “lëvizjes sipas kërkesës”, si Uber dhe Lyft por pa një shofer. Këto shërbime, si rezultat, do të dyfishojnë udhëtimin e njerëzve të dy grupmoshave: ata mbi 65 dhe atyre nga 16 deri në 24.
Makinat bënë një rekord prej 5 trilionë kilometrash në SHBA vitin e shkuar. Rritja e udhëtimeve të makinave autonome nga këto dy grupe njerëzish mund të nxisin udhëtimet me gati 3 trilionë kilometra të tjerë çdo vit që nga viti 2050, përllogariti KPMG. Nëse makinat pa shoferë qarkullojnë edhe pa pasagjerë, atëherë numri i makinave do të dyfishohet përtej kësaj.
Nëse njerëzit e moshës së mesme, kohë kur ngarja e makinës është në pikun e vet, do të shtojnë gjithashtu udhëtimin, kjo do të arrijë çdo vit në një total prej 13 trilionë miljesh. “Do të ishte masive”, thotë Silberg.
Makinat pa shoferë pritet ta bëjnë udhëtimin më të sigurt dhe më të lirë. Me gabimet njerëzore përgjegjëse për 90 për qind të aksidenteve të trafikut, ato pritet të pakësojnë ndjeshëm aksidentet, duke ulur koston e sigurimeve dhe riparimeve.
Por kostoja më e madhe e udhëtimit me makinë është koha e shoferit, sipas Don MacKenzie, një kërkues i transportit në Universitetin e Uashingtonit. Kjo kosto do të ulet në mënyrë drastike kur njerëzit të mund të përdorin kohën e shpenzuar për udhëtim me detyra të tjera produktive, shkruan Gazeta Shqip.
Një studim nga MacKenzie dhe kërkues të tjerë të publikuar në Revistën e Kërkimit të Transportit vlerëson se makinat mund të ulin koston e udhëtimit deri me 80 për qind, por shton me 60 për qind kilometrat e udhëtimit.
“Po flasim për një teknologji që premton ta bëjë udhëtimin më të sigurt, më të lirë dhe më të lehtë. Dhe kur këto janë përfitimet, është e pritshme që njerëzit ta përdorin më tepër”, tha MacKenzie.
“Në rastin më të lirë, do të pakësohet dyndja sepse makinat dhe kamionët pa shoferë janë më të sigurt dhe udhëtojnë më shpejt me hapësirë më të reduktuar mes tyre. Korsitë gjithashtu do të jenë më të ngushta sepse marzhi i gabimit do të jetë më i pakët”, tha Lauren Isaac, menaxhere e transportit të qëndrueshëm.
Pritet të ketë më pak aksidente të lidhura me trafikun. Por këto avantazhe do të jenë të kufizuara për sa kohë makinat pa shoferë ndajnë rrugët me makinat e tjera të zakonshme.
Por ky skenar varet nga një ndryshim shoqëror nga makinat private te flotat komerciale të makinave pa shoferë që mund të menaxhohen nga një aplikacion në celular.
Kështu, flotat e makinave pa shoferë do të bëhen shumë efektive për njerëzit, pasi do të marrin dhe do të lënë pasagjerë të ndryshëm që shkojnë në të njëjtin drejtim. Makthi i dyndjes do të ndodhë nëse një grup i madh njerëzish nuk do të binden të ndajnë me njëri-tjetrin makinat robotike.
Por ndërsa rregullohet transporti nga toka, ai nga ajri do të hasë në konkurrencë të fortë pasi njerëzit do të zgjedhin të udhëtojnë nga një qytet në tjetrin me makina që udhëtojnë shumë më shpejt.
Agjencitë e udhëtimit gjithashtu duhet t’i rimendojnë shërbimet e tyre për të qëndruar sa më konkurruese me tregun në rast se eliminohet shoferi, gjë që do t’i bëjë shërbimet edhe më të lira.
Të gjithë ndryshimet e politikave do të jenë të debatueshme dhe të vështira për t’u arritur. Megjithatë gjithçka mbetet për t’u parë në të ardhmen.