×
  • Lajme
  • Lajme

    Tabletët e regjistrimit të popullsisë – AQP kërkon që firma “Botek” të futet në listë të zezë

    Insajderi
    08 March 2024 - 16:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Agjencia Qendrore e Prokurimit e cila udhëheq me tenderin për nevoja të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ka kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit  që operatori ekonomik “Botek”  të futet në listë të zezë. Kontrata e nënshkruar në gusht të 2023, ka të bëjë me furnizimin me tabletë të ASK-së. Organi Shqyrtues i Prokurimit ka marrë një vendim. Gazeta Insajderi ju sjell detajet.

    Autoriteti kontraktues, pra AQP pretendon se kompania “Biotek”, si pjesëmarrëse në aktivitetin e prokurimit me titull: Furnizim me tabletë për nevojat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës nuk e ka përmbushur kontratën në përputhje me termat dhe kushtet e specifikuara.

    Komisioni i pranimit të mallit sipas AQP-së ka vërtetuar faktin se “Botek” ka dërguar tabletët në ASK, me sistem operativ Android 10, ndërsa në specifikat teknike është kërkuar sistem operativ Android 12.

    Në muajin tetor të vitit të kaluar, Agjencia Qendrore e Prokurimit i ka bashkangjitur edhe komunikimet elektronike që ka zhvilluar me përfaqësuesit e “Botek”, përmes të cilës  AK-ASK, ka kërkuar një zotim nga operatori ekonomik që kjo kompani do ta zhvilloj sistemin operativ Android 12 për të gjitha pajisjet dhe në përgjigje të kërkesës së AK-së, OE Botek, nuk e ka ofruar zotimin sipas autoritetit kontraktues.

    Si rrjedhojë, AQP pretendon se “Botek” ka mashtruar dhe njëherit kërkon që bazuar në Ligjin për Prokurim Publik të merren masat eventuale ndaj këtij operatori ekonomik.

    OSHP njofton “Botek” për kërkesën e Agjencisë Qendror të Prokurimit

    Pas kërkesës së parashtruar nga Agjencia Qendror i Prokurimit, Gjykata e Tenderëve ka njoftuar kompaninë “Botek”, përkatësisht ka kërkuar faktet dhe argumentet e saj lidhur me kërkesën e parashtruar nga autoriteti kontraktues.

    Përfaqësues të kompanisë “Botek” kanë kundërshtuar në tërësi kërkesën e AQP-së, njëherit kanë kërkuar nga OSHP që marrja e masave të refuzohet, duke e arsyetuar kryesisht furnizimin me pajisjen në fjalë se “ne do ta bënim sipas specifikave teknike”, mirëpo konform një neni të paraparë në kontratë , kanë kërkuar zgjatje të afatit të liferimit të produktit.

    Kjo kërkesë del se nuk ishte aprovuar nga AQP, me datën 5 nëntor të 2023-ës, kishin pranuar vendimin për shkëputje të kontratës.

    Ky vendim, nga “Botek” është konsideruar si shkëputje e njëanshme.

    Në sqarimin e kësaj kompanie, bëhet me dije se i kanë dhënë një arsyetim AQP-së, se prodhuesi gjendet me seli në Koren të Jugut  dhe se janë zotuar se përditësimi i pajisjeve do të bëhet më së largu me datën 16.10.2023.

    OSHP refuzon kërkesën e AQP-së për futjen në listë të zezë të “Botek”

    Pas pranimit të përgjigjeve/kërkesave të dyja palëve, pra autoritetit kontraktues dhe autoritetit ekonomik, Gjykata e Tenderëve ka dalë më një vendim.

    Më saktë, më 28 shkurt të këtij viti, OSHP e ka refuzuar si të pa bazuar kërkesën e Autoritetit Kontraktues – Agjencisë Qendror të Prokurimit për diskualifikim nga pjesëmarrja në prokurim publik të OE Botek me seli në Prishtinë, lidhur me aktivitetin e prokurimit: Furnizim me tabletë për nevojat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    “Prandaj kërkesa e AK për diskualifikim dhe përfshirjen e OE në listën e zezë, sipas fakteve dhe rrethanave të krijuara në këtë rast, nuk përfshihet nën juridiksionin e LPP-së”, thuhet në vendim.

    Paneli shqyrtues është i obliguar që të merr masa ndaj operatoreve ekonomik vetëm nëse AK ka ofruar prova ashtu siç potencohet ne paragrafin 2, te nenit 99 të këtij Ligji, sipas të cilit, cituar:

    Në bazë të një kërkese me shkrim nga autoriteti kontraktues në lidhje me paraqitjen e të dhënave të rreme ose të një dokumentit falsifikuar nga operatori ekonomik, OSHP është e obliguar dhe ka autoritetin që te shqyrtoj dhe të diskualifikoj operatorin ekonomik nga pjesëmarrja ne prokurim publik për një periudhe deri në një (I) vjeçare“.

    Andaj, ky panel i Gjykatës së Tenderëve ka vlerësuar se AQP nuk ka ofruar ndonjë dëshmi apo provë për paraqitje të dokumenteve të rreme apo të falsifikuara nga ana e OE “Botek” Sh.p.k.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark