
Edhe përkundër angazhimeve të delegacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të BE-së që çështja e kodit telefonik të përmbyllet përfundimisht në takimin e djeshëm në Bruksel, pala serbe nuk pati gatishmëri për të rrumbullakuar këtë proces.
“Në këtë takim ka pasur përparime për mbylljen e çështjeve të hapura të karakterit teknik, mirëpo pala serbe kishte tendenca të rihapjes së marrëveshjes për telekomin, të cilën delegacioni i Kosovës e kundërshtoi kategorikisht”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
“Delegacioni i Kosovës mbrojti qëndrimin që marrëveshja për telekomin bazohet në ligjet dhe kornizën rregullatore të telekomunikacionit të Kosovës, prandaj edhe zgjidhjet teknike zbatuese duhet të jenë plotësisht me ligjet e Republikës së Kosovës. Delegacioni i Serbisë edhe pse është nënshkrues i marrëveshjes për telekomin, u mundua që në disa çështje procesi i zbatimi të dalë jashtë ligjeve të Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.
Për dallim prej raundit paraprak të bisedimeve, ku u arrit pajtimi për heqjen e barrikadës dhe ku pala serbe kishte qëndrim më konstruktiv, në komunikatë thuhet se, kësaj radhe pala serbe ishte jo serioze dhe kohë-pas-kohe ishin konfuz dhe të pakoordinuar, që linte të kuptohej që, ose nuk kishin gatishmëri apo nuk e njihnin fushën për të cilën kishin ardhur.
Në këtë takim thuhet se pati polemika të ashpra politike me ç ‘rast ministrja Tahiri ia kujtoi palës serbe se këto janë bisedime ndërshtetërore të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht, ndërkohë që “hipokrizia politike e palës serbe është e pafundme për faktin se nënshkruan marrëveshje me shtetin e Kosovës me garanca ndërkombëtare dhe në anën tjetër gjatë zbatimit përpiqet të dalë jashtë marrëveshjes”.
Po ashtu, delegacioni i Kosovës bën të ditur se ky takim ka qenë vetëm për çështjet e kodit telefonik dhe se përfaqësuesi i Serbisë, Marko Gjuriq ka gënjyer kur ka thënë se në Bruksel do të bisedohet për asociacionin./Insajderi.com