Sot pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka deklaruar se kryeshefi i arrestuar i KEK-ut, Nagip Krasniqi nga burgu është duke udhëhequr ndërmarrjen.
Ai e ka kritikuar gjuhën e përdorur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili, sipas tij duhet ta shkarkojë drejtorin e KEK-ut dhe jo ta mbrojë atë.
“E konsiderojmë të papranueshëm dhe të ashpër, reagimin e kryeministrit në lidhje me arrestimin e drejtorit të KEK-ut. Ai e mban ende pozitën e drejtorit të KEK-ut, tashmë është në paraburgim, ai nga paraburgimi e drejton korporatën më të rëndësishme energjetike në vend, është e dëmshme. Ajo që duhej të ndodhte, është që ky person të shkarkohet, bordi të shkarkohet, të merren masa edhe ndaj akterëve tjerë, për keqpërdorimet që kanë ndodhur”, ka thënë ai.
Tutja, Tahiri ka thënë se PDK-ja është duke përgaditur kallëzim penal në lidhje me keqpërdorimet në sektorin e energjisë.
“Në komisionet hetimore, kanë dalë abuzime që jemi duke i procedu si kallëzime penale në prokurorinë speciale. Për ne është e papranueshme që drejtori, vazhdon të jetë në paraburgim dhe në krye te KEK-ut”, ka thënë ai.
Tahiri, ka bërë të ditur se do ta ftojnë kryeministrin Kurti, dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për t’i informuar opozitën dhe qytetarët në lidhje me keqpërdorimet në KEK.