Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se Bashkimi Evropian ka shtuar presionin ndaj Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes dy vendeve.
Ajo thotë se një gjë e tillë është vërejtur gjatë Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Paris.
“Sa iu takon lëvizjeve nga ana e palës serbe, deri më tani nuk ka ndonjë lëvizje, por ka pasur një diplomaci më të shtuar nga BE-ja, por edhe nga Gjermania në drejtim të Serbisë, në kuadër të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Paris, me ç’rast delegacionit të Serbisë i është bërë presion se duhet t’i zbatojë marrëveshjet të cilat janë në pritje”, ka thënë Tahiri.
Në një intervistë për të përditshmen Epokën e Re, ministrja Tahiri ka thënë se deri sa Serbia nuk zbaton marrëveshjet e arritura, as Kosova nuk do të ndërmarrë asnjë hap për zbatimin e marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe./Insajderi.com