Tahiri kërkon dorëheqjen e Ferit Idrizit: Je i padenjë për kryetar të Vushtrrisë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Tahiri kërkon dorëheqjen e Ferit Idrizit: Je i padenjë për kryetar të Vushtrrisë

    Insajderi
    23 December 2024 - 12:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit aktual, Ferit Idrizi, duke e akuzuar atë për manipulator dhe keqmenaxhim të pronave publike në komunën e Vushtrrisë.

    Në një deklaratë të ashpër, Tahiri ka thënë se Idrizi ka vendosur qëllimisht Kuvendin e Komunës, asambleistët dhe qytetarët në lajthitje në lidhje me menaxhimin e pronave komunale.

    Sipas Tahirit, Idrizi ka shpërfillur detyrimet ligjore që kërkojnë konsultime publike dhe ka manipuluar proceset ligjore për të favorizuar interesat e tij.

    “Ferit Idrizi është i padenjë për të udhëhequr Komunën e Vushtrrisë. Ai ka manipuluar Kuvendin e Komunës dhe qytetarët, duke formuar komisione dhe duke paraqitur propozime pa respektuar ligjin për Vetëqeverisje Lokale,” ka thënë Tahiri.

    “Përpara se të ndërpriste kontratat dhe të shpallte thirrje publike, ai ishte i obliguar të zhvillonte konsultime publike me qytetarët, por nuk e bëri këtë, sepse ka vepruar në mënyrë manipulative.”

    Tahiri ka thënë gjithashtu se Idrizi ka mashtruar Kuvendin dhe qytetarët edhe në lidhje me Zonën Ekonomike në Lumadh. Ky projekt, i vlerësuar si i ligjshëm nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në vitin 2021, është shoqëruar me akuza të rreme nga Idrizi dhe Shpetim Fadilaj.

    Kallëzimi penal i bërë ndaj Tahirit është hedhur poshtë nga Prokuroria Speciale, e cila ka konstatuar se nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore.

    “Feriti dhe Shpetimi vazhdojnë të tentojnë ta rikthejnë projektin në pikën zero, duke kërkuar ta kalojnë në duar të miqve të tyre. Kjo ka sjellë edhe paditë ndaj Komunës së Vushtrrisë, dhe dëmet financiare që mund të shkaktohen mund të arrijnë miliona euro,” shkroi Tahiri në Facebook.

    Ai ka potencoi se humbja e katër viteve të shpenzuara për Zonën Ekonomike dhe moskrijimi i 800 vendeve të punës janë pasojë e sabotimeve dhe shpifjeve të bëra nga Idrizi dhe Fadilaj.

    “Në fund, Prokuroria Speciale hodhi poshtë pretendimet e tyre si të pabazuara,” tha Tahiri.

    Tahiri ka përmendur gjithashtu se ka qëndruar i heshtur deri më tani, duke dëshiruar që qytetarët vetë të kuptojnë manipulimet e Ferit Idrizit.

    Ai ka falënderuar Këshillin e Fshatit Stanoc i Poshtëm për reagimin e shpejtë dhe ka theksuar se ka qenë gjithmonë i koordinuar me ta për të mbështetur qëndrimin e drejtë të qytetarëve.

    “Qytetarët e Vushtrrisë meritonin më shumë, dhe tani është koha që Ferit Idrizi të japë dorëheqje,” ka përfunduar Tahiri.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark