Tahiri: Kushtetuesja ndali një devijim të rrezikshëm – votimi i fshehtë ishte jokushtetues - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Tahiri: Kushtetuesja ndali një devijim të rrezikshëm – votimi i fshehtë ishte jokushtetues

    Insajderi
    26 June 2025 - 20:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ngërçin institucional në Kuvend, duke theksuar se aktgjykimi e ka bërë të qartë se askush nuk ka të drejtë të vendosë për votim të fshehtë në mënyrë arbitrare.

    Sipas Tahirit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se vendimi për themelimin e Komisionit për Votim të Fshehtë në seancën konstituive ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe përfaqësonte një tentim për bllokadë politike përmes manipulimit të procedurave parlamentare.

    “Ky është një aktgjykim i rëndësishëm që ndal një devijim të rrezikshëm kushtetues dhe vërteton se procedurat parlamentare nuk mund të përdoren si instrument bllokade politike,” u shpreh Tahiri.

    Ai shtoi se që nga 15 prilli, Kuvendi është bllokuar, fillimisht për shkak të dështimit të grupit më të madh parlamentar për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit dhe më pas përmes propozimeve që shkelin rregullat dhe Kushtetutën.

    Tahiri theksoi pesë pika kryesore të vendimit të Kushtetueses, ndër to:Rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas vullnetit politik të ndonjë grupi; Askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese; E drejta për të propozuar kryetarin nuk mund të përdoret si mjet për bllokadë; Grupi më i madh ka detyrim për kompromis me grupet tjera;

    Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga aktgjykimi.

    Deputeti i PDK-së tha se ai personalisht ka dorëzuar komente mbështetëse në Gjykatë në mbrojtje të rendit kushtetues, duke e cilësuar vendimin si fitore për demokracinë dhe funksionimin e institucioneve.

    “Demokracia parlamentare nuk është pronë e askujt,” shkroi ai në Facebook./Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark