Ministrja Edita Tahiri sot kërkoi nga BE-ja që ta ndal trenin ilegal të Serbisë në shtetin e Kosovës, të cilin Serbia e ka paralajmëruar për nesër, si një provokim të radhës për destabilizimin e situatës në Kosovë.
Serbia po vazhdon me provokime të rënda ndaj Kosovës në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve, thuhet në njoftimin e zyrës së ministrës për Dialog, Edita Tahiri.
“Paralajmërimi i bërë për të lansuar linjën e re ilegale Beograd – Mitrovicë që nga dita e nesërme, është një ndërhyrje agresive në sovranitetin shtetëror të Kosovës dhe një dëshmi tjetër se Serbia po dëshiron ta destabilizojë Kosovën”, ka theksuar ministrja Tahiri.
E ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka bërë të ditur se që nga nesër do të lëshohet për qarkullim linja hekurudhore Mitrovicë Veriore – Beograd. /Insajderi.com