×
  • Lajme
  • Lajme

    Tahiri: Mbledhja e përbashkët me Maqedoninë, ngjarja më e madhe e Kosovës në politikën e jashtme pas sanksioneve të BE-së

    Insajderi
    18 November 2024 - 11:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka komentuar mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar këtë ngjarje si më të rëndësishmen në fushën e politikës së jashtme për Kosovën që nga vendosja e sanksioneve nga Bashkimi Evropian.

    Tahiri theksoi se, ndonëse takimi me shtetin fqinj është një ngjarje pozitive, ajo thekson gjithashtu izolimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    “Pavarësisht se kjo ngjarje është e mirëseardhur, ideja që Kosova nuk mund të avancojë asnjë agjendë diplomatike përveç një mbledhjeje me një shtet fqinj, tregon shumë për izolimin në të cilin jemi përfshirë,” ka shkruar Tahiri.

    Kreu i grupit parlamentar të PDK-së ngriti gjithashtu pyetje për mundësitë e zhvillimit të politikës diplomatike të Kosovës, duke theksuar se ndonëse situata aktuale është e vështirë, ende ka mundësi për përmirësim.

    “A mund të bëhet më shumë? A mund të bëhet më mirë? Natyrisht që po. Nuk ka asnjë dyshim se gjërat do të përmirësohen pas 9 shkurtit 2025,” tha ai.

    Tahiri ka përmendur gjithashtu edhe sanksionet e vendosura ndaj Kosovës nga BE-ja, duke përkujtuar njoftimin e Bashkimit Evropian më 28 qershor 2023 për masat që ndikuan në angazhimet e tjera të BE-së në vend.

    “Që nga ajo periudhë, të vetmet mjete të BE-së që shpenzohen në Kosovë janë pagat për stafin e tyre, ndërsa angazhimet e tjera janë në ‘standby’. Pamundësia për të shfrytëzuar fondet e para-anëtarësimit të BE-së është shoqëruar me një masë edhe më të rëndë, mospërfshirjen e Kosovës në zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare,” ka përfunduar Tahiri./Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark