Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se për shkak të retorikës së Vetëvendosjes ka marrë kërcënime në shtëpi nga një vrasës.
‘’Në foltore ofendohemi me fjalë më të rënda nga zëvendëskryeministri e ministrja e drejtësisë. Jemi njerëz dhe ofendimet e tilla nuk i tolerojmë. Për punën e shurdhuesve nuk e kam thënë dhe po ua them tash. Me punën e shurdhuesve që ju po e përmendi unë kam marrë kërcënim që e kam denoncu në polici. Kërcënim në gru dhe fëmijë. Policia vjen më raport ku thotë e kemi indentifiku personin që ju ka kërcënu është në vuajtje të dënimit në Podgoricë për organizimin e një vrasje. Ai më shkruan nga burgu për punën e shurdhuesve. Janë armë që janë ble për sigurimin e kryeministrit në atë kohë e që s’ka lidhje me mu. Me këtë retorikë që na kërcënoni edhe fëmijët dhe gratë, s’kemi me ju duru’’, u shpreh Tahiri.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi akuzoi Abelard Tahirin se me sjellje ‘prej banditi’ e kërcënoi mbrapa foltores.
“Deputeti Abelard Tahiri nga kjo foltore nxori një sërë akuzash për ministren Albulena Haxhiu. Ndërsa, pasi u ndal mikrofoni në stilin e një banditi që vendos shurdhues në armën e tij, u kthye nga unë dhe shprehur një serë kërcënimesh të cilat më pas i shoqëroi me të shara e fyerje”, deklaroi ai.
Tutje, ai i bëri thirrje Prokurorisë që të merret me këtë rast.