Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se si parti politike do të angazhohen që Kosova të ketë Qeveri të re në krye me Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër.
Tahiri ka thënë se prioritet i tyre do të jetë edhe puna me komisione hetimore.
“Si GP gjatë kësaj përudhe do të angazhohemi që ky proces të mbyllet dhe t’i mbarojmë punët që i ndihmojnë Kosovës. Komplet angazhimi ynë do të shkoje që vendit t’i jepet një Qeveri e re. Në këto kohë me përplasje me miqtë tanë që jemi, me bllokimin e vendit si këto tri vite e gjysmë është bërë shumë pak në mënyrë që të ecim si vendet e rajonit. Çka nuk është bërë për tri vite e gjysmë nuk mund të kërkojmë që të bëhet për këta muaj. Errësira goxha e ka kapluar këtë vend. Vetëm një Qeveri e re dhe një kryeministër i ri siç është Bedri Hamza i jep drejtim të ri vendit”, tha Tahiri, teksa shtoi se të enjten do të mbahet seanca e parë për këtë sesion vjeshtor.