Shefi i grupit parlamentar, Abelard Tahiri, ka reaguar lidhur me ligjin për Institutin e Krimeve të Luftës që është sot në rendin e ditës në Kuvend.
Qeveria ia ka zgjatur afatin këtij Instituti deri më 31 dhjetor 2000, edhe pse lufta në Kosovë ka përfunduar më 12 qershor 1999. Kjo duke e bërë afatin identik si të Gjykatës Speciale.
Për Tahirin, kjo është përmbushje e një kërkese tjetër të Radojiçiqit.
Postimi i plotë:
Hulumtimi i krimeve të luftës dhe gjenocidit serb në Kosovë duhet të vazhdojë pa asnjë dyshim. Por Qeveria e Albin Kurtit, sot e ka shtruar në agjendë të Kuvendit miratimin e ligjit për Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, i cili synon të hetojë e hulumtojë këto krime, deri me datën 31 dhjetor të vitit 2000. Lufta në Kosovë ka përfunduar me 12 qershor, 1999, me largimin e ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova dhe nuk ka pasur luftë pas qershorit të 99-tës. Kjo qasje kaq antihistorike, antikombëtare e antishtetërore, për ta paraqitur dhe akomoduar interpretimin e Serbisë përmes së cilit ajo i qaset asaj periudhe, është asgjë më shumë sesa një zell i madh e i koordinuar për t’ia përmbushur edhe një kërkesë Milan Radojçiqit.
Ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit që t’i përgjigjen arsyes e vetëdijes dhe ta refuzojnë këtë turp të pa kapërdishëm, antihistorik e antikombëtar.