Tahiri qytetarëve: Nuk do ta lejojmë murin në Veri, rrini të qetë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Tahiri qytetarëve: Nuk do ta lejojmë murin në Veri, rrini të qetë

    Insajderi
    09 December 2016 - 23:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kryenegociatore e Kosovës në dialogun e Brukselit, po insiston se muri në veri të Mitrovicës është ilegal dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit dhe lëvizjen e lirë. Tahiri ka thënë se çështja e shkeljes së Marrëveshjes së Brukselit është biseduar gjerësisht me Bashkimin Evropian, gjatë ditës së djeshme dhe sotme. Ajo ka siguruar qytetarët e Kosovës se nuk do lejojnë murin në veri.

    “Në bisedimet që patëm dje me Bashkimin Evropian, këtu në Prishtinë, ku ishin prezent edhe dy kryetarët e komunave të Mitrovicës, në emër të Qeverisë së Kosovës kam kërkuar zbatimin e plotë të marrëveshjes për revitalizimin e Urës së Ibrit në Mitrovicë si dhe eliminimin e menjëhershëm të shkeljeve të bëra nga një mur ilegal. Po ashtu, diskutuam edhe pjesën tjetër të Marrëveshjes që lidhet me revitalizimin e rrugës kryesore të komunës veriore të Mitrovicës, e cila do të shndërrohet në rrugë për këmbësorë, sipas Marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Tahiri.

    Tahiri ka thënë gjithashtu se ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) që të përgatisin një raport duke bërë matjet në terren për të parë nëse rrethrrotullimi në anën veriore të urës së Ibrit është cenuar nga projekti për revitalizimin e rrugës për këmbësor.

    “Nga raporti i MMPH i të cilin e kam pranuar në orët e mbrëmjes, është konstatuar se dimensionet e këtij rrethrrotullimi janë ruajtur në pajtim me marrëveshjen e Brukselit dhe të njëjtin ia kam përcjellë Bashkimit Evropian.Me këtë rast dëshiroj të njoftoj opinionin e gjerë publik se pajtimi me BE-në dhe konkluzionet e dakorduara mbrëmë janë rikofirmim se Marrëveshja e Brukselit e datës 25 gusht 2015 do të respektohet plotësisht dhe se revitalizimi i urës dhe revitalizimi i rrugës për këmbësorë në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës do të jenë në pajtim me parimet e lëvizjes së lirë. Kjo do të thotë se nuk do të ketë mur në pjesën që lidh urën e Ibrit me rrugën për këmbësorë në veri të qytetit, sepse muri është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit”, theksoi ministrja Tahiri.

    Ministrja ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka parasysh shqetësimin e qytetarëve dhe tensionet e krijuara nga ky mur ilegal.

    “Por ne ju sigurojmë se nuk do të ketë kurrfarë muri në atë pjesë të qytetit të Mitrovicës. Ne ftojmë qytetarët dhe opinionin publik që të jenë të përmbajtur dhe të kenë durim sepse ky problem do të zgjidhet, është çështje ditësh kur gjërat do të shkojnë në vend ashtu siç jemi dakorduar me BE-në dhe në pajtim të plotë me Marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë Tahiri.

    “Ju përkujtojmë se përvoja të tilla negative që i ka krijuar Serbia i kemi pasur edhe me rastin e heqjes së barrikadës nga ura e Ibrit, kur një barrikadë u hoq dhe tjetra u vu si një “park paqe” të cilën e hoqëm tërësisht. Dhe ju jeni të gjithë dëshmitarë se tashmë ura e Ibrit është urë e lirë dhe bashkuese. Ju sigurojmë se edhe ky mur do të hiqet në ditët në vijim dhe gjithë do shohim së bashku se nuk do të ketë mur e as pengesa të çfarëdoshme për lëvizjen e lirë”, theksoi ministrja Tahiri.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark