Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka pritur dje në takim një delegacion të Bashkimit Evropian të kryesuar nga Thomas Busch. Qëllimi i këtij takimi ka qenë shqyrtimi i gjendjes në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit me fokus të veçantë për zhbllokimin e atyre të cilat nuk po zbatohen nga ana e Serbisë.
Ajo ka thënë se pala kosovare gjithnjë ka qenë serioze në zbatimin e të gjitha obligimeve që dalin nga Marrëveshjet e Brukselit. Mirëpo, sipas saj, tash e sa kohë Serbia ka bllokuar zbatimin e marrëveshjeve për çështjen e kodit telefonik shtetëror për Kosovën, pavarësimin e KOSTT-it dhe largimin e barrikadës nga ura e Mitrovicës dhe kthimin e saj në një urë bashkuese të lëvizjes së lirë.
Ministrja Tahiri më tej tha ritheksuar që moszbatimi i marrëveshjeve për kodin shtetëror për Kosovën, fillimin e funksionimit të pavarur të sistemit të transmisionit të energjisë së Kosovës (KOSTT), marrëveshje këto të cilat tash e pesë vite janë në tryezën e bisedimeve në Bruksel, përbën një shkelje serioze të marrëveshjeve të Brukselit nga ana e Serbisë.
“Qëndrimi jonë si Qeveri për këtë situatë është i qartë dhe i njohur për juve si BE, se pa u zbatuar këto tri marrëveshje të rëndësishme për neve, nuk do të ndërmarrim asnjë hap rreth zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Si dhe që ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të jetë një nivel i tretë i qeverisjes, sepse këto kompetenca nuk i lejohen nga ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës, dhe se Marrëveshja bazohet në ligjet e Kosovës”, tha Tahiri.
Ajo ka thënë se Serbia ka vazhduar me veprimet e saj destruktive ndaj Kosovës duke ndërhyrë ilegalisht me pretendimet për ndërtime ilegale në veri të vendit me synime djallëzore të ndryshimit të strukturës etnike.
“Këto veprime të Serbisë, kanë ngritur tensione dhe pakënaqësi dhe mund të jenë destabilizuese për situatën e mirë të sigurisë që e kemi arritur me mund të madh së bashku me juve BE-në, SHBA-të, Gjermaninë e partnerë të tjerë. Prandaj kërkoj nga ju si BE që të merrni të gjitha masat për të ndalur Serbinë dhe destruksionet e saja, sepse në të kundërtën do të detyrohemi që me forcën e ligjit t’i ndalim ne si Qeveri e Kosovës”, tha Tahiri.
Më tej ajo ka bërë të ditur se zyrtarët e Bashkimit Evropian ka rikonfirmuan qëndrimin e tyre se palët në këtë dialog duhet të jenë koherente dhe konsistente në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, duke premtuar që për këtë qëllim do të jenë në kontakte të vazhdueshme me të gjitha palët për implementimin e obligimeve të tyre.
Ata po ashtu kanë theksuar se nga zbatimi i Marrëveshjeve të Brukselit varet shumë edhe progresi i secilit vend në rrugën e tyre drejt integrimit në BE.
Në fund, palët u pajtuan për intensifikimin e punëve me qëllim implementimin e marrëveshjeve të arritura deri tani. Rruga drejt BE-së bëhet më e qartë për të gjithë vetëm atëherë kur përmbushen obligimet nga secila palë për paqe e stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe promovim të fqinjësisë së mirë për secilin vend aspirant për t’u bërë anëtarë të familjes evropiane një ditë./Insajderi.com