Tahiri shumë i zëshëm për Fondin e Sigurisë, Konjufca: Unë e kam dhënë pagën, ti s’e di – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Tahiri shumë i zëshëm për Fondin e Sigurisë, Konjufca: Unë e kam dhënë pagën, ti s’e di

    Insajderi
    19 May 2022 - 18:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka pyetur shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahirin nëse ka informata se ai nuk e ka dhënë pagën e kryetarit të Kuvendit për Fondin e Sigurisë, raporton Gazeta Express.

    Tahiri më herët kritikoi krerët e institucioneve dhe deputetët se nuk kanë dhënë shembull duke e dhënë pagën e tyre për fondin e ushtrisë.

    “Ti, kryeministri, të gjithë deputetët, shefja e grupit, kryetari i Kuvendit, të gjithë ju, bëhuni shembull, jepeni pagën, tregoni qysh jeni për fond”, tha Tahiri.

    “Z. Tahiri, a ke informata që unë nuk e kam dhënë pagën?”, e pyeti kryeparlamentari Konjufca pasi ai e përfundoi fjalën.

    “Ka deputetë në baza individuale që e kanë dhënë, të pozitës dhe opozitës”, nisi t’i përgjigjej Tahiri.

    Por Konjufca e ndërpreu.

    “Unë për shembull e kam dhënë. A ke informata që s’e kam dhënë?”.

    “Jo të përmenda si kryetar i Kuvendit”, u arsyetua Tahiri.

    Konjufca tha se beson që sikur ai kanë vepruar edhe zyrtarë tjerë publik.

    “Z. Tahiri unë për vete e kam dhënë dhe mendoj që duhet me bë publicitet me këtë punë dhe unë mendoj që shumë zyrtarë publik e kanë dhënë, por nuk është punë e publicitetit”, tha kryeparlamentari.

    Tahiri theksoi çështjen se si fondi, sipas tij, po mbahet sekret, ndërsa Konjufca e ndërpreu edhe një herë për t’ia bërë edhe një pyetje.

    “E tani e kam një pyetje. Meqenëse nuk e dite për mua, nuk e di as për këta tjerët?”.

    Kësaj pyetjtje nuk iu përgjigj Tahiri.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark