Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka bërë me dije se Bashkimi Evropian e ka shtuar presionin ndaj Serbisë për t’i zbatuar marrëveshjet që janë arritur në dialogun e Brukselit.
Ajo ka deklaruar se kjo është vërejtur gjatë Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Paris. Në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”, ministrja Tahiri ka treguar se në këtë samit vetë kancelarja gjermane Angela Merkel ka kërkuar nga delegacioni i Serbisë t’i zbatojë obligimet e marra në procesin e dialogut.
“Sa iu takon lëvizjeve nga ana e palës serbe, deri më tani nuk ka ndonjë lëvizje, por ka pasur një diplomaci më të shtuar nga BE-ja, por edhe nga Gjermania në drejtim të Serbisë, në kuadër të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Paris, me ç’rast delegacionit të Serbisë i është bërë presion se duhet t’i zbatojë marrëveshjet të cilat janë në pritje”, ka thënë Tahiri.
Ajo ka shtuar se Kosova nuk e ka ndërmend të lëvizë nga kushtëzimi i saj për vazhdim të dialogut me Serbinë.
“Kosova e ka bërë të qartë se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim për zbatimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, para se Serbia ta heqë bllokadën për kodin telefonik për Kosovën dhe funksionimin e pavarur të KOSTT-it, si dhe para se të largohet barrikada nga ura e Ibrit në Mitrovicë”, është shprehur Tahiri.
Sipas saj, Serbia do të detyrohet nga BE-ja për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura.
“Në fakt, presioni dhe kushti kryesor që BE-ja ia ka vënë Serbisë është kapitulli i 35, ku në mënyrë të qartë janë cekur të gjitha obligimet e Serbisë të pazbatuara, të cilat duhet t’i zbatojë. Pra, ky kapitull kushtëzon Serbinë në rrugën e saj evropiane me zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve me Kosovën”, ka thënë Tahiri.
Më tej, ajo ka vlerësuar se, duke e parë bllokadën e Serbisë në këto çështje, Qeveria e Kosovës ka rritur angazhimet e saj diplomatike për ta zhbllokuar procesin.
“Në këtë fazë kemi një bllokadë dhe ne si Qeveri e Kosovës vazhdimisht po punojmë edhe në planin diplomatik me BE-në dhe me Qeverinë Amerikane në këtë drejtim”, ka thënë Edita Tahiri, ministre për Dialog.