Tahiri thotë se strukturat paralele të drejtësisë shuhen më 10 janar – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Tahiri thotë se strukturat paralele të drejtësisë shuhen më 10 janar

    Insajderi
    30 November 2016 - 19:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se duke filluar nga 10 janari i vitit të ardhshëm, të gjitha strukturat ilegale të drejtësisë që operojnë në veri të vendit do të shuhen dhe do të integrohen në sistemin gjyqësor të Kosovës.

    Këtë zotim Tahiri e ka dhënë teksa ka njoftuar se në Bruksel u “arrit dakordimi për finalizimin e zbatimit të Marrëveshjes për drejtësi” pas dy ditë bisedimesh.

    Tahiri deklaroi se dakordimi i arritur sot në Bruksel për finalizimin e zbatimit të marrëveshjes për drejtësinë ka rëndësi të madhe për Kosovën sepse kjo marrëveshje mundëson shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veri të vendit në fushën e drejtësisë, thuhet në një komunikatë për media.

    “Kjo Marrëveshje është e rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e saj sepse institucionet shtetërore të drejtësisë me 10 janar 2017, do të fillojnë funksionimin tashmë në tërë territorin e shtetit tonë si dhe më në fund qytetarët do të mund të kërkojnë drejtësi nga institucionet shtetërore të Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.

    Sipas Tahirit, zbatimi i marrëveshjes së Brukselit për drejtësi mundëson krijimin e sistemit unik të drejtësisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës, që po ndodh pas shumë vitesh dhe këtë e mundësoi dialogu i Brukselit përkatësisht marrëveshja e Brukselit për drejtësi.

    “Sipas marrëveshjes për drejtësi do të vendoset  një gjykatë themelore dhe një zyrë prokuroriale në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen shtatë komuna ashtu siç përcaktohet me Ligjin për Gjykatat e Republikës së Kosovës. Ligji për Gjykatat i Republikës së Kosovës /Nr. 03/L-199  neni 2.7, përcakton se Gjykata Themelore e Mitrovicës me seli në Mitrovicë themelohet për territorin e Komunës së Mitrovicës Jug dhe Mitrovicës Veri, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë. Sipas këtij ligji në Kosovë ekzistojnë gjithsejtë shtatë gjykata themelore”, thuhet në komunikatën për media.

    “Kjo marrëveshje shuan strukturat paralele në sistemin gjyqësor që kanë vepruar në veri të vendit në mënyrë ilegale. Sipas marrëveshjes për finalizimin e zbatimit me 9 dhjetor 2016 Serbia do të shfuqizojë kontratat e punës dhe do të ndal pagat për gjyqtarët dhe prokurorët serb të cilët do të integrohen në sistemin gjyqësor të Kosovës”./Insajderi.com

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark