
Të martën në Bruksel pritet që të zhvillohet një takim ku tema të diskutimit janë njohja reciproke të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme të njohura si ADR, shkeljet e marrëveshjes për vizitat zyrtare nga ana e zyrtarëve të Serbisë duke hyrë edhe ilegalisht në Kosovë, si dhe për ndalimin e vazhdimit të lëshimit të letërnjoftimeve nga strukturat paralele për qytetarët e Kosovës nga ana e Qeverisë së Serbisë.
Përmes një komunikate për media nga Qeveria e Kosovës, njoftohet se takimi është ftuar nga Bashkimi Evropian “si rezultat i tensionimit të situatës” pas vizitave të përfaqësuesve serb në Kosovë.
“Vazhdimi i deklarimeve nga zyrtarët e Serbisë ka bërë që Qeveria e Kosovës/MPJ të mos i jap leje zyrtarit serb Marko Gjuriq që të vizitoj Kosovën .Ndërkohë, të premten e kaluar ka ndodhur provokimi i radhës kur zyrtari serb Gjuriq ka hyrë ilegalisht në Kosovë duke shkelur marrëveshjen e Brukselit”, sqaron komunikata e qeverisë.
Në anën tjetër, “Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka reaguar në BE-në për shkeljen e radhës nga Serbia dhe zyrtarit të tyre si dhe ka marrë vendim që më 18 prill t’ju ndalohet hyrja ilegale të personave me leje ilegale të lëshuara nga strukturat paralele si dhe ka njoftuar Brukselin se çdo hyrje tjetër ilegale në Kosovë e personave të ndryshëm do të ketë përballje me forcën e ligjit të Republikës së Kosovës.”