Vizita e Erdoganit në Rusi dhe takimi me Putinin do të shënojë një kapitull të ri në marrëdhëniet bilaterale mes Turiqsë dhe Rusisë. Kështu u shpreh presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan në një deklaratë për agjencinë ruse të lajmeve TASS. Kjo ka të bëjë me bashkëpunimin ushtarak, ekonomik dhe kulturor.
Erdogani dhe shefi i Kremlinit, Vlladimir Putin, po përpiqen prej javësh që t’i çtendosin raportet politike, diplomatike dhe ekonomike, pas goditjes në nëntor të vitit të kaluar të një avioni rus, që ishte pjesë e misionit ushtarak rus në Siri. Si pasojë, Rusia i ka vënë Turqisë sanksione ekonomike, si për shembull në sektorin e turizmit. Erdogani ka kërkuar falje në qershor për goditjen e avionit rus. Pas tentimit të grusht shtetit, ai ka fajësuar madje kundërshtarët politikë për këtë incident, shkruan DW.
Tensionet me vendet perëndimore
Për shkak të masave të shtuara autokratike të Erdoganit pas tentativës për puç, janë ftohur ndjeshëm raportet mes Perëndimit dhe Turqisë. Presidenti turk ka fajësuar perëndimorët për mungesën e solidaritetit të duhur në luftën kundër puçistëve. Erdogani pohon se nga Rusia ka pasur një mbështetje më të madhe. Në prag të vizitës në Rusi, autoritetet turke kanë pezulluar vendimin për ndalimin e portalit rus të lajmeve “Sputnik”, njofton agjencia turke e lajmeve Anadolu. Kjo faqe sërish mund të hapet edhe në Turqi.
Bashkëpunimi ekonomik
Në takimin e Shën Petersburgut do të bisedohen në radhë të parë temat që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik, si për shembull kalimi i gazsjellësit TurkStream si dhe mundësia e ndërtimit të një centrali bërthamor në Turqi, nga një kozorcium i përbashkët turko-rus.
Pa shqetësime në Berlin
Qeveria federale nuk është e shqetësuar për afrimin mes Turqisë dhe Rusisë. I ngakurari i Gjermanisë për Rusinë, Gernot Erler, u shpreh se takimi i Erdoganit me Putinin nuk drejtohet kundër Evropës dhe aleatëve evropianë. Për më shumë, ai mendon se është në interesin e Evropës që t’i jept fund ngrirjes së raporteve mes Turqisë dhe Rusisë, sepse kjo gjendje pengon zgjidhjen e konflikteve në Siri apo në Kaukaz. Por ky është një sinjal edhe për Evropën që duhet të punojë më shumë në raportet me Turqinë dhe Rusinë.(dw)