Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka quajtur të papërgjegjshme qeverinë aktuale. Ai këtë e ka thënë teksa ka njoftuar për një takim me emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Krasniqi, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se është e rëndësishme që BE’ja t’i largojë sanksionet ndaj Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.
“Në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, prita sot të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Zhvillimet politike në vend dhe rajon ishin tema të diskutimit tonë, për të cilat shkëmbyem qëndrimet tona. Për PDK-në, përtej papërgjegjësisë së Qeverisë së Kosovës, është tejet e rëndësishme që Bashkimi Evropian të heqë sanksionet ndaj Kosovës, nga të cilat po vuajnë më së shumti qytetarët tanë”, thuhet në postimin e tij.
Sarrazin ka takuar edhe akterë të tjerë opozitarë përgjatë qëndrimit në Kosovë. /Insajderi.org/