Takimi Merkel-Trump, Cili duhet të jetë leksioni i Gjermanisë ndaj ShBA-së - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Takimi Merkel-Trump, Cili duhet të jetë leksioni i Gjermanisë ndaj ShBA-së

    Insajderi
    24 January 2017 - 09:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pas ardhjes në post të presidentit amerikan, Donald Trump, e shqetësimeve që kanë shkaktuar deklaratat e tij për NATO-n dhe BE-në, nga radhët e koalicionit qeveritar dhe opozitës në Gjermani kërkohet që kancelarja gjermane Angela Merkel të zhvillojë një takim të shpejtë me presidentin amerikan, Donald Trump.

    Për këtë nuk ka asnjë datë zyrtare ende, por qeveria gjermane po merr kontakte me Trump dhe ekipin e tij, shkruan agjencia e lajmeve DPA në një analizë të saj.

    “Kemi të gjitha kontaktet që mund të kemi në këtë fazë shumë-shumë të hershme të administratës së re”, tha të hënën edhe zëdhënësi i kancelares, Steffen Seibert. Por ai nuk dha asnjë afat kohor, se kur mund të takohet Merkel me Trump.

    Ndërkohë që është bërë e ditur se ketë javë Trump do të takohet me kryeministren britanike, Theresa May në Uashington, e cila është shprehur se do të përpiqet për “një lidhje speciale” me ShBA-në.

    Paraqitje me vetëbesim

    Edhe politikani socialdemokrat gjerman, Nils Ahnen, thotë se Merkel duhet të takohet me Trump, por nuk ka pse të rendë pas tij.

    “Ne jemi vend i fortë, prandaj mund të paraqitemi me vetësiguri e ta bëjmë të qartë se nuk do të lejojmë që Trump ta përçajë BE”, ka thënë ai.

    Ndërsa kreu i partisë liberale, Christian Lindner, tha se “pres që kancelarja gjermane të takohet shpejt, më së miri të udhëtojë që këtë javë në Uashington, për të folur me Trump”.

    Sipas kreut të liberalëve, Trump ka nevojë të përballet me dikë në Evropë, që nuk lejon të kalojë menjëherë në defensivë.

    “Merkel është i vetmi personalitet lider evropian”, të cilin me sa duket e njeh Trump. “Kjo duhet shfrytëzuar”.

    Me fjalimin e tij radikal të premten me betimin si president, Donald Trump i shkatërroi shpresat në anën tjetër të Atlantikut, se si president ai do të ndjekë një kurs tjetër nga ai i fushatës zgjedhore presidenciale, që u zhvillua shumë e ashpër në ShBA.

    Presidenti amerikan bëri të qartë se në qendër të veprimit të tij politik do të jenë interesat amerikane. Por më shumë shqetësim shkaktoi paraqitja e parë publike e zëdhënësit të tij të shtypit, i cili u shpreh “se do të japin llogari” mediet për raportimin lidhur me numrin e vizitorëve në betimin e presidentit amerikan.

    Kreu i fraksionit konservator në Bundestag, Volker Kauder, e cilësoi këtë “si një deklaratë të papërfytyrueshme”.

    “Liria e medieve është një e mirë kulturore e civilizimit perëndimor, e cila duhet nderuar gjithmonë edhe kur mund të zemërohesh për ndonjë raportim të caktuar”, ka thënë ai. Ndërsa kryetarja e partisë së Gjelbër, Simone Peter, e cilësoi fjalimin e Trump si fjalim “me polemikë e paragjykime”./DW/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark