Takimi përfundon me përqafime, Kurti merr “bekimin” e Ramës për Asociacionin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Takimi përfundon me përqafime, Kurti merr “bekimin” e Ramës për Asociacionin

    Insajderi
    26 March 2023 - 14:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Vetëm disa ditë pasi e shqiptoi edhe me fjalë të tij se “po, ka Asociacion”, kështu duke bërë prerje përfundimtare me të kaluarën kundërshtuese të Zajednicës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të diele ishte në vizitë edhe te kryeministri shqiptar, Edi Rama, ku ky i fundit ia dha “bekimin” e tij se ky Asociacion i komunave [të banuara me shumicë] serbe duhet të formohet, shkruan Insajderi.

    Rama, siç lexohet nga shkronjat e tij në Facebook qe i lumtur me pranimin e marrëveshjes së pranuar fillimisht në Bruksel dhe në Ohër, ku në veçanti Kryeministrit Kurti i kërkoi zbatimin e Nenit 7, ku parashihet themelimi i Asociacionit dhe sigurimi i “nivelit të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb” si dhe “formalizimi i Statusit të Kishës Ortodokse Serbe”.

    “I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”.

    “.E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, shkroi Rama i kënaqur në Facebok.

    Krejt në fund, Rama njoftoi se janë pajtuar që në qershor të mbajnë mbledhjen e përvjetshme qeveritare të Shqipërisë dhe Kosovës.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tashmë e ka dhënë për fakt të kryer pranimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe një nivel të duhur vetëmenaxhimi për serbët e Kosovës.

    Kjo në vend u kritikua gjerësisht ngase Kurti perceptohej dhe besohej të ishte “gardiani i vetëm” kundër Zajdenicës së Serbisë në Kosovë. Megjithatë, Kurti u dorëhoq nga kundërshtimet e tij kategorike të ndërtuara gjatë tërë karrierës së tij politike./Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark