×
Analiza

Takimi që e mbajti fshehur- Rama diskuton mundësi bashkëpunimi me Kinën

Insajderi
16 April 2024 - 16:04
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Për gjashtë ditë e mbajti sekret. Vetëm pasi që Gazeta Insajderi kishte dërguar pyetje, Përparim Rama vendosi që ta bënte publik takimin e përfaqësuesin e Republikës së Kinës në Kosovë. Por, ende nuk ka dhënë përgjigje se pse e mbajti te fshehtë këtë takim. Para se ti takonte krye-kinezin në Kosovë, Rama vizitoi Tajvanin, regjionin që ka tensione serioze politike me Pekinin zyrtar, por ende nuk ka treguar se kush e kërkoi takimin e 11 prillit, pala kineze, apo vet ai.

Më 11 prill, në mes të ditës Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që udhëheq me Kryeqytetin kishte mbajtur një takim me Cheng Lei, Shef i Zyrës së Republikës Popullore të Kinës në Kosovë.

Atë e shoqëronte edhe asistenti i tij  Li Qiwei, derisa Rama në krah e kishte shefin e kabinetit Vllaznim Osmani.

Mysafirve kinez iu dhanë simboli i Prishtinës, “Hyjnesha në Fron” dhe nga një kopje e revistës “Prishtina”.

Krejt ky zhvillim ka ndodhur javën e kaluar. E, duke e parë që Kryetari Rama po e mbante të fshehtë këtë takim, Gazeta Insajderi e kishte pyetur fillimisht se kush e inicio takimin, çka u diskutua, dhe kryesorja: pse nuk kishte publikuar Komuna e Prishtinës asgjë për këtë takim.

Vetëm disa orë pasi që Gazeta Insajderi u interesua për këtë takim, Përparim Rama vendosi që të e publikonte atë.

“Mirëprita në takim z. Cheng Lei, Shef i Zyrës së Kinës në Kosovë, për të diskutuar mundësi të shumta të bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, artit e kulturës”, shkroi Rama i LDK-së, vetëm disa ore pasi që pranoi pyetjet nga Gazeta Insajderi.

Ai thotë se u informua se “Qeveria e Kinës deri tani ka lëshuar viza për më shumë se 1000 përfaqësues biznesesh nga Kosova”, por nuk është përgjigjur në pyetje e Gazetës Insajderi se a ka pasur diskutime për mundësi dhënë Kinës për të investuar në Prishtinë. As nuk është mohuar kjo deri tash.

“Falënderova z. Lei për frymën bashkëpunuese dhe shpreha gatishmërinë të mirëpresim turistë kinez në Kryeqytet si dhe të avancojmë bashkëpunimin ndërmjet bizneseve. Në fund, i përcolla z. Lei shpresën që Kina të njeh sovranitetin e Kosovës sa më parë”, e ka përfunduar Përparim Rama postimin e tij në Facebook.

Gazeta Insajderi deri tash nuk ka marrë përgjigje nga Përparim Rama as edhe nëse për këtë takim ai ishte konsultuar me Shefin e partisë së tij, Lumir Abdixhiku- Kryetarin e LDK-së.

Vizitë në Tajvan, takim me kinezë në Kosovë

Javë më parë Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama pati një vizitë në Tajvan, një regjion semi-autonomi e Republikës së Kinës.

Republika e Kinës dhe regjioni i Tajvanit kanë një marrëdhënie të tensionuar politike, derisa Kina e njeh si pjesë të territorit të tyre, këta të fundit e kundërshtojnë atë.

Sipas raportimit të “Taiwannews” në mars të këtij viti, Kryetari i këtij qyteti, Chen Chi-mai dhe i pari i Prishtinës, Përparim Rama veçse kanë nënshkruar marrëveshje për binjakëzim të të dyja qyteteve.

“Krye-bashkiaku Perparim Rama kaloi ditët  (18-23 mars) në Tajvan për të mësuar më shumë rreth zhvillimit të ‘qytetit të mençur’. Kaohsiung ishte qyteti i parë i binjakëzimit në Azi për kryeqytetin e kombit ballkanik (Prishtinës”, raportojnë mediat lokale të Tajvanit për këtë vizitë dhe theksojnë se Krye-bashkiaku Chen theksoi marrëdhëniet e ngrohta midis Tajvanit dhe disa vendeve evropiane.

“Tajvani dhe Kosova u përballën me sfida të ngjashme në rrugën drejt demokracisë dhe lirisë”, tha ai.

Vetëm disa javë pasi që ishte në Tajvan, dhe e binjakëzoi Prishtinën me këtë regjion, Përparim Rama vendosi që të zhvillonte takim me përfaqësuesin më të lartë të Republikës së Kinës në Kosovë, Cheng Lei.

Edhe pse Insajderi e ka pyetur, Rama ende nuk ka dhënë përgjigje se kush e kërkoi këtë takim, Rama apo Cheng Lei.

Alarmi për ndikim të Kinës e Rusisë në Ballkan

Në një raportim të disa javëve më parë me titullin “Analistët perëndimorë paralajmërojnë ndikimin e Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor”, Zëri i Amerikës ngriti alarmin.

“Me Rusinë dhe Kinën në një linjë gjithnjë e më të madhe, politikëbërësit dhe analistët perëndimorë po japin alarmin mbi ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor. Me kaq shumë fokus në luftërat në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, ata paralajmërojnë se Ballkani Perëndimor nuk duhet të injorohet”, thuhet në këtë raportim.

Përfaqësuesi i SHBA Pete Sessions i tha Zërit të Amerikës se SHBA-të duhet të qëndrojnë prapa këtyre kombeve dhe “të punojnë brenda parametrave të vendosur, BE-së, NATO-s dhe organizatave të tjera… Shtetet e Bashkuara duhet të jenë para dhe në qendër për të thënë, ‘Ne e mbështesim këtë dhe ne do të qëndrojmë së bashku.’ Kjo është ajo që këto kombe kanë nevojë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke qëndruar të forta me ta individualisht dhe si grup”.

Naz Durakoglu, ndihmës sekretari i shtetit për çështjet legjislative citohet të ketë thënë se SHBA është shumë e shqetësuar për ndikimin e Kinës dhe Rusisë në rajon dhe punon në mënyra të ndryshme për të forcuar demokracinë në ato vende. Këto përfshijnë ndihmën e huaj, një fokus në luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e reformave “për të ndihmuar në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe me njëri-tjetrin”.

Ish-ministri shqiptar i mbrojtjes, Fatmir Mediu, është cituar po ashtu duke tërheur ëemendje për ndikimin kinez.

“Mënyra se si veprojnë forcat si Rusia dhe Kina është, së pari ato përpiqen të ndezin konflikte të reja,” i tha ai Zërit të Amerikës.

“E dyta është krijimi i një lloj status quo-je në lidhje me situata të caktuara dhe probleme të pazgjidhura për të parandaluar anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe për të zgjeruar ndikimin e tyre gjeoekonomik dhe gjeopolitik”, kishte thënë Mediu. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark