
Prej shtatë ditësh, autobusët e linjës ‘Podujevë-Prishtinë’ po qëndrojnë përballë komunës së Prishtinës, pas vendimit të autoriteteve që ata të lejohen të hyjnë vetëm deri në fshatin Bërnicë. Si pasojë, rreth 80 fshatra të komunës së Podujevës po përballen me vështirësi në transportin drejt Prishtinës, derisa të gjendet një zgjidhje. Më të prekurit nga kjo situatë mbeten qytetarët. Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, lidhur me një zgjidhje të mundshme, por ai ka heshtur.
Autobusët e linjës Podujevë – Prishtinë janë duke qëndruar tash e një javë te objekti i komunës së Prishtinës ku janë vendosur nga kompanitë e kësaj linje në shenjë proteste.
Pronarët e autobusëve të linjave Podujevë – Prishtinë janë duke protestuar para komunës së Prishtinës me arsyetimin se kjo komunë ka marrë vendim që autobusët e Podujevës të mos hyjnë në territor të Prishtinës.
Kjo situatë po i dëmton më së shumti qytetarët e komunës së Podujevës, të cilët udhëtojnë çdo ditë drejt Prishtinës. Në mungesë të transportit publik, ata po detyrohen të përdorin taksitë ilegalë.
Çmimi për një udhëtim nga Podujeva në Prishtinë me këto taksi është zakonisht 2 euro. Megjithatë, në disa raste, shoferët po e shfrytëzojnë mungesën e autobusëve për të rritur çmimin edhe më shumë, duke rënduar edhe më tepër qytetarët.
Gazeta Insajderi ka siguruar edhe një video, ku shihen dhjetra qytetarë në një stacion të kësaj komune duke pritur për taksi ilegalë, për t’u nisur drejt Prishtinës:
“Po presim më shumë se 30 minuta në stacion, autobusa nuk ka, taksit ilegalë po mbushen, se shumë udhëtarë”, tha një qytetare për Insajderin.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me Kryetarin e komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, lidhru me këtë situatë, duke e pyetur se a kanë pasur ndonjë kontakt me kryetarin e Prishtinës për ndonjë zgjidhje.
Apo a do të ndërmarrin ndonjë masë që do t’ua lehtësonte qytetarëve të Podujevës këtë situatë, mirëpo i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.
Nga ana tjetër, Mentor Mustafa nga Shoqata e Transportit Podujevë – Prishtinë, kishte deklaruar se me këtë vendim të komunës kompanive u lejohet që autobusët t’i qojnë vetëm deri në Lebanë dhe në stacion të autobusëve në Prishtinë.
Mustafa ka thënë se Komuna e Prishtinës ka marrë vendim krye në vete pa konsultim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe ka marrë vendim që autobusët e Podujevës të mos hyjnë në territorit të Prishtinës më. Ai ka paralajmëruar se nëse nuk rregullohet kjo çështje do të marrin edhe masa të tjera, ku tha se do ta bllokojnë kryeqytetin.
E nga komuna e Prishtinës thonë se me veprimin e tyre kanë të drejtë ligjore dhe nuk do tërhiqen.
“Mund të debatohet edhe për këtë pjesë e të gjindet një zgjidhje për qytetarët që zbresin në atë statcion të ketë një vendim të ri të trafikut urban që të ketë një lehtësirë që të ketë një pagesë të dyfishtë”, ka thënë zëdhënësi i Komunos së Prishtinës, Donat Lushaku.
“Problemi është që komuna e ka ba për interesa të veta, që qytetarët e Podujevës të paguajnë edhe një kosto shtesë prej 80 cent, kështu që tash një qytetarit të komunës së Podujevës i bëhet 2.80 cent me ardhë me shku me kry punë edhe me u kthy prapë për Podujevë”, ka thënë Sadat Kurtolli, anëtar i shoqatës së autobusëve “Podujevë-Prishtinë”.