Taksistë të Prizrenit janë ankuar në redaksinë e Insajderit për sjellje prej kapadaie të një polici F.K (emër i njohur për redaksinë). I njëjti sipas tyre e parkon veturën e tij private nëpër vendet e parapara për taksi. Bëhet fjalë për një veturë të tipit Mitsubishi Pajero.
Veturën, e parkon aty çdo ditë thonë ata.
Gjithmonë sipas tyre, ata si taksistë po marrin edhe gjoba pasi vendi i parkingut të tyre po uzurpohet nga ky polic.
“Ai e cilëson vetën polic të fortë edhe e lenë veturën në parkingun e taksive çdo ditë dhe nuk i bëhet vonë”, u shpreh njëri prej tyre.
“Ne taksistët marrim gjoba çdo ditë pasi që detyrohemi të rrimë jashtë parkingut kur po na zihet vendi”, tha tjetri.
Të pyetur nëse ankesën e tyre e kanë drejtuar edhe në Policinë e Kosovës, ata thanë se janë ankuar por që nuk kanë marrë përgjigje.
Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje poashtu nga policia për të parë nëse janë në dijeni të këtij rasti, përkatësisht se a do të gjobitet i njëjti.
Nga policia na kanë bërë me dije se do ta hetojnë rastin dhe në rast të shkeljes së rregullave të trafikut ai do të gjobitet.
“Të gjithë zyrtarët policor janë të obliguar që të respektojnë rregullat dhe ligjet në fuqi duke përfshirë edhe ligjin e komunikacionit rrugorë, sa i përket fotos së automjetit në fjalë ne do të ia dërgojmë stacionit policor përgjegjës që të bëjë vlerësimin se a ka bërë kundërvajtje ngasësi i automjetit në fjalë dhe nëse ka kundërvajtje do të shqiptohet gjoba në pajtim me ligjin në fuqi”, kanë deklaruar nga policia për Insajderin.
Si rrjedhojë, janë zotuar se në rastet që uniforma e policisë së Kosovës keqpërdoret nga polici F.K, siç po pretendojnë taksistët prizrenas i njëjti do të ndëshkohet.
“…mund të iu u themi me përgjegjësi të plotë se të gjithë zyrtarët policor janë të obliguar që të sillen me përgjegjësi dhe në pajtim me rregullat në fuqi dhe në pajtim me kodin e etikës policore, nëse ka dyshime se ndonjë zyrtarë ka keqpërdorur autorizimet e tij, Policia e Kosovës apo Inspektori Policor i Kosovës ( bazuar në shkeljen e supozuar) fillojnë hetimet, mbledhin provat dhe dëshmitë, për shkeljet e lehta disiplinore vendoset në nivel Lokal ndërsa për shkeljet e rënda lënda dërgohet para Komisionit Disiplinor dhe para Komisionit për Ankesa ( si shkallë e dytë e vendosjes) në kuadër të Policisë së Kosovës dhe vetëm nga zyrtarët përgjegjës, me një vendim të plotfuqishëm mund te vendoset se një zyrtar a ka keqpërdorur autoritet zyrtarë , apo ka bërë ndonjë shkelje tjetër disiplinore apo jo”, thuhet në përgjigjen e policisë.