Marrëveshja e koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së ua ndalon atyre që të përkrahin mocione mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës. Por, partia e drejtuar nga Kadri Veseli duket se ka gjetur një mënyrë për të rrëzuar Qeverinë dhe në të njëjtën kohë të mos e shkelin marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2014.
Hajredin Kuçi, nënkryetar i kësaj partie, e bëri të qartë pas takimit urgjent të kryesisë të premten, se PDK ua ka lënë në dorë deputetëve të saj që vendosin lidhur me mocionin e iniciuar nga partitë opozitare.
Duke komentuar faktin se ka pasur edhe deputetë të partisë së tij që kanë nënshkruar atë, ai ka thënë se ato janë vendime individuale e jo partiake.
Kryesia e PDK-së u mblodh në një takim urgjent të hënën pasi u kuptua se partitë opozitare kanë dërguar në Kuvend mocionin për rrëzimin e Qeverisë. Udhëheqësit kryesor të kësaj partie, përfshirë këtu edhe kryetarin Kadri Veseli, nuk e kanë përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme brenda ditëve.
Në fakt, Veseli ka filluar qysh para disa javëve një fushatë para-zgjedhore, fillimisht duke mbajtur “ture dëgjimi” me qytetarë, e pastaj takime me ekspertë të sektorëve të ndryshëm.
Në ndërkohë, edhe Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, ka thënë se vendimet e deputetëve janë individuale.
“Sistemi zgjedhor u mundëson që deputetët ta kenë mandatin, dhe jo partitë, dhe në këtë kuadër është një vlerë e demokracisë që është kultivuar në Kosovë së paku që nga zgjedhjet e vitit 2007 kur janë hapur vlerat, dhe kjo u ka dhënë mundësinë e natyrshme deputetëve që të kenë qëndrimet e veta,” ka thënë ai në emisionin Interaktiv.
Ai ka rikujtuar se ka pasur deputetë të LDK-së që në fakt nuk e kanë votuar Qeverinë aktuale
Mocioni i partive opozitare do të mbahet të mërkurën. Sipas ligjeve në fuqi, Qeveria bie në rast se mocioni përkrahet nga së paku 60 deputetë. Në një rast të tillë, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në vitin 2010, në kohën kur qeveria drejtohej nga Hashim Thaçi në një koalicion me LDK-në, vendi kishte shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme pikërisht për shkak të një mocioni të mosbesimit. Ata kohë vlerësohej se Aleanca Kosova e Re kishte bërë “favor” PDK-së, e cila insistonte në zgjedhje të parakohshme. AKR kishte nisur mocionin e votëbesimit ndërsa atë e kishin votuar edhe vetë deputetët e PDK-së.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme atë kohë ishin bërë pasi ish-presidenti Fatmir Sejdiu, i cili ishte njëkohësisht edhe kryetar i LDK-së, kishte dhënë dorëheqje nga posti i presidentit për shkak që kushtetuesja kishte gjetur se ai ka bërë shkelje meqë ka mbajtur të dy këto pozita. LDK ndodhej në një krizë të brendshme si pasojë e këtij zhvillimi.
Në rrethanat aktuale, LDK përsëri shihet në pozitë të palakmueshme, meqë deputetët e kësaj partie nuk po i binden Isa Mustafës që të votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi./Insajderi.com