Terroristët afganë kanë lajmëruar se me nisjen e pranverës do të fillojë një tjetër ofensivë ndaj forcave qeveritare. Për talebanët, ky operacion ka rëndësi të madhe, pasi përveçse do të luftojnë me shtetin, ata duan që të tregojnë se nuk janë dobësuar. Një pjesë e anëtarëve të këtij grupimi është bashkuar me IS-in, ndërkohë që ka përplasje mes fraksionev
Dëbora po shkrin në Afganistan dhe lulet, përfshirë edhe boçet e kuqe të opiumit do të çelin shpejt. Jo vetëm kaq, por në atë që është kthyer tashmë në një rrit në vend, talebanët do të nisin një ofensivë të re. Terroristët islamikë bënë lajmërimin dhe shtuan se këtë herë operacioni i tyre kundër forcave qeveritare do të quhet “Mullah Omar”, emri i liderit të tyre, i cili u vra nga forcat amerikane dhe që ata pranuan publikisht vdekjen vetëm vitin e kaluar
Por ministri i Brendshëm i qeverisë së Kabulit, që mbështetet nga qeveria amerikane, u shpreh se nuk ka asgjë të re në këtë ofensivë të forcave talebane
Në fakt, kjo nuk është ajo lufta e vjetër që vazhdon të rikthehet. Kjo mësymje është një test për liderin e ri të talebanëve, Mullah Akhtar Muhammad Mansoor, autoriteti i të cilit është kontestuar nga disa prej fraksioneve brenda grupit.
Por edhe liderët dhe luftëtarët që i kanë premtuar besnikëri shtetit islamik, janë një problem për të, pasi një numër jo i vogël luftërash janë larguar nga talebanët.
Kjo do të thotë që terroristët në këtë ofensivë, jo vetëm që duhet të luftojnë për territor të ri, por edhe që të ruajnë atë të vjetrin, që kërcënohet nga grupe rivale.
“Këtë vit, ne po detyrojmë rreth 95% të komandantëve talebanë që të qëndrojnë në zonat e tyre të përcaktuara”, tha një drejtues i lartë taleban për “Daily Beast”. “Pra të gjithë do të futen në territorin afgan dhe sigurisht që kjo do t’i intensifikojë luftimet edhe më shumë”. Ai më pas tregoi për planin. “Në vitin 2016 shënjestrat tona kryesore do të jetë që të mbajmë kontrollin e zonave që kemi marrë, do të shtypin rebelimet brenda grupimit dhe rivalët e IS-it dhe do të shtojmë presionin në qytetet e mëdha si edhe në kryeqytetet e provincave. Në Helmand, ne kontrollojmë rreth 90% të terrenit, kurse në Ghazni dhe Kunduz ne po ecim përpara me shpejtësi”, njofton Gazeta Shqip.
Realisht kur talebanët arritën që të merrnin qytetin e Kunduzit në shtatorin e shkuar, forcat ushtarake qeveritare të mbështetura nga avionët amerikanë në fillim vepruan në panik dhe shkatërruan gabimisht një spital i cili kontrollohej nga organizata “Mjekët pa Kufij”.
Një tjetër drejtues i rëndësishëm i talebanëve shton se këtë herë taktika do të jetë e ndryshme. Grupimi terrorist gjykon se që kur forcat e NATO-s dhe të SHBA-së kanë nisur tërheqjen dhe nuk po angazhohen më si dikur në luftime, besimi te forcat talebane është rritur shumë dhe forcat e tyre në terren janë më të përqendruara.
Beteja e Kunduzit dhe marrja e zonës së Helmandit, në të cilën prodhohet një sasi e madhe opiumi, bindën talebanët se forca ajrore afgane nuk është edhe aq e fortë dhe amerikanët hezitojnë të ndërhyjnë.
“Ne nuk kemi ecur përpara me forca të përqendruara në këto 5 vite të fundit, për të shmangur numrin e lartë të viktimave”, tha një tjetër zyrtar taliban. “Për këtë vit kështu do të bëjmë”, njofton Gazeta Shqip.
Në Kabul, qeveria ka arritur pak gjë në diskutimet për paqen, ndërkohë që problemi i tyre më i madh është fakti që forcat talebane mbështeten nga qeveria pakistaneze.
Edhe morali brenda forcave të ushtrisë afgane nuk është shumë i mirë. Një major 30-vjeçar nga Kandahari tregon për situatën. “Ne kemi mjaftueshëm kurajë që të luftojmë kundër talebanëve dhe Pakistanit, por ne do të dëshironim që sistemi për të cilin po luftojmë të ishte më pak i korruptuar. Unë nuk e kam problem që të vritem duke luftuar kundër aleatëve të Pakistanit, talebanëve, por ndonjëherë pyes veten time: A e meriton një sistem kaq i korruptuar sa ai i Kabulit që të mbrohet duke vënë jetën në rrezik?”, tha majori i ushtrisë, i cili e identifikon veten me emrin Amir Shah. Ai tregon se numri i të vrarëve në ushtrinë afgane është shumë i lartë. “Ushtarakët e lartë ne po na hedhin në mes të talebanëve, pa përforcime dhe furnizime, ndërsa vetë bëjnë një jetë të qetë në Kabul”. Majori thotë se SHBA dhe NATO i patën mbështetur ata me sukses më parë, por tani nuk janë gjëkundi. “Ne kemi probleme te drejtuesit, e kjo është arsyeja se përse kaq shumë ushtarë po vdesin”.
Forcat afgane dhe ato të sigurisë morën goditje të fortë në provincën Helmand.
Për këtë arsye, presidenti afgan Ashraf Ghani, caktoi ish-gjeneralin komunist Jabar Qahraman si mëkëmbësin e tij special, për të përmirësuar situatën në këtë territor.
Një ushtar i ushtrisë në provincën Helmand, Alizai, thotë se situata është shumë e keqe. “Për disa javë ne u rrethuam nga talebanët në Mosa Qala. Nuk kishim asgjë për të ngrënë, përveçse bukë të thatë për 20 ditë. Ishim me fat që ia hodhëm”. Ushtari tregon arsyen se përse vendosi të braktiste ushtrinë. “Jabar Qahrman ishte një oficer ushtarak komunist që drejtoi një tank rus dhe vrau pesë anëtarë të familjes sime në vitin 1980. Tani Ashraf Ghani dëshiron ta fitojë këtë luftë me komunistët e vjetër. Për këtë arsye unë dezertova”, tha i riu.
I dërguari special i Presidentit në Pakistan, Umar Zakhilual, beson se momentalisht nuk ka asnjë marrëveshje konkrete mes palëve. “Informacioni dhe raportimi im për qeverinë afgane është që të përgatiten për ofensivën afgane”, tha ai.
Kështu do të ketë luftime të ashpra në vazhdim, përpara se palët të ulen e të diskutojnë për ndarjen e re të zonave të influencës dhe për kontrollin e tyre sa më gjatë, siç kanë bërë zakonisht. I pyetur nëse talebanët do të arrijnë që të marrin ndonjëherë kryeqytetin afgan, zyrtari i lartë i grupimit terrorist u përgjigj: “Ne nuk kemi si objektiv përfundimtar që të marrim Kabulin. Gjithsesi ne do të luftojmë gjithmonë”./Insajderi.com