Nga data 26 deri më 30 dhjetor, talentet nga dy ekipet më të organizuara në vendin tonë, KV Prishtina Elite dhe KV Vëllaznimi, do të marrin pjesë në një turne ndërkombëtar në Galipoli, Itali. Ky aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm për volejbollin kosovar dhe në veçanti për zhvillimin e talenteve të reja.
Pas shumë sukseseve brenda vendit dhe aktiviteteve intensive gjatë këtij viti, ky turne ndërkombëtar është një mënyrë ideale për ta përmbyllur vitin. Eksperienca që do të fitohet nga ky aktivitet është e paçmueshme për klubet pjesëmarrëse dhe për volejbollin kosovar në tërësi.
Ne si klube jemi në përgatitje të vazhdueshme për ta përfaqësuar vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ky turne shënon vetëm fillimin e një bashkëpunimi të frytshëm mes ekipeve tona dhe atyre italiane. Duke marrë parasysh që Federata e Volejbollit e Kosovës tashmë ka një memorandum bashkëpunimi me Federatën e Volejbollit të Italisë, ky aktivitet do të jetë një motiv shtesë për të treguar potencialin dhe nivelin tonë në këtë sport.
Puna e palodhshme me gjeneratat e reja po jep rezultate dhe aktivitete të tilla na mundësojnë që të mësojmë edhe më shumë. Volejbolli kosovar dita-ditë po tregon që është në rrugë të drejtë dhe ky turne është një hap i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit dhe promovimit të tij.
Një faktor kyç për këtë bashkëpunim të suksesshëm mes vendit tonë dhe Italisë, një superfuqi botërore në volejboll, është Leonard Peja. Si organizator dhe vizionar, ai ka ndërtuar ura të fuqishme bashkëpunimi mes dy vendeve, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e sportit dhe shkëmbimin e eksperiencave.
Ky turne është një mundësi unike jo vetëm për të treguar talentin e volejbollistëve tanë, por edhe për të forcuar lidhjet mes vendeve tona dhe për të promovuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.