Shtrenjtimi i çmimeve nuk po njeh ende një majë, teksa niveli i inflacioni është regjistruar në rritje edhe gjatë muajit tetor. Kryetari i organizatës “Konsumatori” Selatin Kaçaniku, në një intervistë për Gazetën Insajderi ka folur për këtë dhe ndikimin tek qytetarët. Ai tha se ngritjen e çmimeve më vështirësi po e përballojnë edhe vendet evropiane. Por, sipas tij në Kosovë qytetari ka “falimentuar”.
Familjet në Kosovë e kanë dhjetë fish më të rëndë përballjen me çmimet e tregut sesa qytetarët tjerë në Evropë. Kështu ka deklaruar në një intervistë kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku.
Sipas tij, atyre nuk u ka ndihmuar fare as përcaktimi i çmimit të naftës nga ana e Qeverisë sepse siç thotë ai “mandati i Qeverisë nuk është ndërhyrja në treg”.
“Ndërsa Qeveria ofron ”suplemente” mujore, si racione medikamentoze, me të cilat mëton t`i arnojë problemet e gjithë vitit. Qeveria, MEFT-i, MINT-i…sikur harrojnë se qytetari / familja konsumatore e Republikës së Kosovës janë gjenerues të Buxhetit të Shtetit të cilin e menaxhon Qeveria – dhe nuk e njeh as nuk e mbështet nga ky Buxhet konsumatorin“, u shpreh Kaçaniku.
Kuvendi së fundmi ka miratuar edhe projektligjin për vendosjen e çmimeve tavan në produktet themelore. Për këtë Kaçaniku tha se është tallje dhe e quajti mjet didakt që nuk sjell rezultate.
”Tallje, shpoti…me dinjitetin dhe me inteligjencën e qytetarit / familjes konsumatore të Republikës së Kosovës. Tavani” është mjet popullist ndaj nuk është mënyrë e zgjidhjes së problemit. Me mjete diktati, pa studime paraprake dhe pa qytetarin konsumator nuk mund të zgjidhet asnjë problem, sado i vogël ose i madh që mund të jetë ai”, tha ai.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni në muajin tetor është më i lart për 12,7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Gazeta Insajderi: Si mendoni se është gjendja e qytetarëve pas inflacionit që po përballet Kosova me rritjen e çmimeve të produkteve bazë?
– Ua kam paralajmëruar qeverive rrezikun e falimentimit të qytetarëve konsumatorë të varfër, në veçanti të atyre që jetonin në varfëri të skajshme. Askush nuk e mori seriozisht. Nuk është vepruar, reaguar, parandaluar, ndërmarrë asgjë! I kam njoftuar se ndërkohë ata kanë falimentuar. Tani me falimentim rrezikohet edhe ”shtresa e mesme” ?! Aktualisht kjo është gjendja e qytetarit/familjes konsumatore të Republikës së Kosovës.
Gazeta Insajderi : A mendoni se është e përballueshme ngritja e çmimeve?
Ortekun e ngritjes së çmimeve nuk po e përballojnë dot as qytetarët konsumatorë të shteteve më të zhvilluara – me rroga dhjetë fish më të larta. Por, qytetari/familja konsumatore e Republikës së Kosovës e ka dhjetë fish më të rëndë e më të vështirë përballjen me stuhinë e çmimeve, inflacionin, kërcënimin me falimemtim.
Gazeta Insajderi: Së fundmi Qeveria ka miratuar nismën që t’i caktohet çmimi “tavan” produkteve bazike, si i shihni ju këto?
Tallje, shpoti…me dinjitetin dhe me inteligjencën e qytetarit / familjes konsumatore të Republikës së Kosovës.Para 5 – 6 vitesh, para dy legjislaturave qeveritare, disa nga taksat ”para tavanit” qenë përgjysmuar e disa u hoqën fare ?! Aso kohe qytetari / familja konsumatore e Republikës së Kosovës nuk i shijoi këto lehtësime fiskale. Me sponzorizimin e Qeverisë ato i abuzuan prodhuesit, tregtarët dhe shërbyesit. Për çfarë ”tavani” po flitet. A i ka mbetur kredibilitet Qeverirsë?! Mandati i Qeverisë nuk është ndërhyrja në treg, ekonomi, fiskalitet por krijimi i kushteve për veprimin e tregut si rregullator, garantimi i veprimit të Kushtetutës dhe të ligjeve.
Gazeta Insajderi: A do të përmirësohet pozita e konsumatorit me caktimin e çmimeve nga ana e Qeverisë?
Jo!Jo, përderisa Qeveria, METF-i, MINT-i merren me pasojat e ”nuk guxojë ta kafshojnë” problemin. Kriza e çmimeve, inflacioni, rënia e standardit jetësor, falimentimi po zgjasin me vite, që nga nisja e ”sundimit” të Pandemisë COVID 19. Ndërsa Qeveria ofron ”suplemente” mujore, si racione medikamentoze, me të cilat mëton t`i arnojë problemet e gjithë vitit. Qeveria, MEFT-i, MINT-i sikur harrojnë se qytetari / familja konsumatore e Republikës së Kosovës janë gjenerues të Buxhetit të Shtetit të cilin e menaxhon Qeveria – dhe nuk e njeh as nuk e mbështet nga ky Buxhet konsumatorin.
Gazeta Insajderi: Ndërsa deri më tani çmimi “tavan” ishte përcaktuar për derivate çfarë ndikimi mendoni se ka pasur?
-Konsumatori i Republikës së Kosovës ka nevojë vetëm për një të tretën e pompave të derivateve të naftës. Pra, ky është vetëm një nga shumë problemet që janë krijuar nga qeveritë e që edhe këtë Qeveri e mbajnë larg nga mundësia e zgjidhjes së këtij problemi. ”Tavani” është mjet popullist ndaj nuk është mënyrë e zgjidhjes së problemit. Me mjete diktati, pa studime paraprake dhe pa qytetarin konsumator nuk mund të zgjidhet asnjë problem, sado i vogël ose i madh që mund të jetë ai. Kufizimi i çmimit të derivateve të naftës mund të ”kompensohet” në shumë mënyra të tjera. Gjithmonë kemi dyshuar dhe akoma dyshojmë se naftëtarët kurrë nuk janë varur e fituar vetëm nga çmimi nominal i karburantit ?
Gazeta Insajderi: Sipas jush a është përkeqësuar apo është përmirësuar mirëqenia e qytetarëve në vitet e fundit?
Konstatimi për falimentimin e një pjese të qytetarit / familjes konsumatore të Republikës së Kosovës dëshmon për përkeqësimin drastik të mirëqenies së qytetarit / familjes konsumatore.
Gazeta Insajderi: Në krahasim me vendet evropiane si mendoni se qëndron Kosova në raport më inflacionin?
Mendoj se Republika e Kosovës është shumë herë më e disfavorizuar. Sepse shërbehet me valutën e BE-së ndaj të cilës nuk mund të ndikojë as të krijojë politika të mirëfillta financiare-fiskale. Nuk ka buxhet performues por ka buxhet konsumues; Nuk ka ekonomi, treg as klimë të duhur për tu ballafaquar me inflacionin që e ”importojmë” bashkë me prodhimet, mallrat e shërbime.
Gazeta Insajderi: Si do ta mund ta përballonin më lehtë inflacionin familjet?
Mendoj se për këtë nuk ka formulë të mirë as magjistari, as nëse do të organizoheshim e solidarizoheshim të gjithë bashkë rreth zgjidhjes së këtij problemi.